Manchester City dëshiron të përforcohet akoma, pëlqehet Guerreiro i Dortmund
Marc Cucurella është objektivi kryesor i Manchester Cityt si anësor i majtë. Megjithatë, negociatat kanë ngecur dhe, kësisoj, Raphael Guerreiro është duke u vëzhguar si alternativë rezervë.
Me largimin e Zinchenkos drejt Arsenalit, Pep Guardiola po mundohet që ta mbulojë boshllëkun e krijuar. Ka disa sezone rresht që Manchester City thuajse çdoherë futet në krizë në atë pozitë të fushës, nganjëherë për shkak të mungesës së opsioneve e herave tjera për shkak të lëndimeve.
Edhe pse duket e çuditshme, por Brighton nuk po shfaq asnjë shenjë që dëshiron të privohet nga Cucurella. 24-vjeçari po këmbëngul që t'i bashkohet Guardiolas, por Brighton nuk është aspak i kënaqur me çmimin prej 35 milionë eurosh që po i ofrohet.
Brighton do ta linte spanjollin që të largohej vetëm për një shifër prej rreth 60 milionë eurosh, e cila nuk duket se është afër të ndodhë.
Guerreiro opsion i ri për Manchester Cityn
Në këto rrethana, Manchester City po vëzhgon alternativa tjera. Emri i mbrojtësit të majtë, Raphael Guerreiro, është rikthyer në listën e kampionit në fuqi të Premierligës. Si profil pëlqehet prej kohësh.
Siç njofton mediumi The Athletic, Raphael Guerreiro shihet si një alternativë që pëlqehet nga Pep Guardiola, për shkak të karakteristikave teknike që ka.
Në çdo rast, edhe në këtë rast mësohet se çmimi i ka kërkuar nga Dortmund është shumë i lartë, edhe pse nuk saktësohet se për sa bëhet fjalë.
Guardiola gjatë konferencës së fundit për shtyp ka theksuar se janë të interesuar për t'u përforcuar në krahun e majtë nëse do të kenë mundësi, por nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, sipas tij nuk ka arsye për alibi, sepse nuk vuan për mungesën e lojtarëve.
"Cucurella është një lojtar i Brightonit. Nuk mund të them asgjë tjetër. Nëse do të jetë e mundur që ta marrim një anësor të majtë, do ta bëjmë. Në qoftë se jo, do të operoj me skuadrën që kam në gatishmëri. Nuk ankohem. Kam lojtarë mjaftueshëm", u shpreh trajneri katalonas.

