“Man Unitedit i duhet rindërtim”, Ronaldo tregon çfarë i mungon klubit anglez, kritikon Ten Hagun
Ylli Cristiano Ronaldo e ka kritikuar trajnerin Erik ten Hag duke i kërkuar Manchester Unitedit të rindërtohet nëse dëshirojnë të mbesin si një nga klubet më të mëdha në botë.
Portugezi në intervistën e tij pranë Rio Ferdinand ka kritikuar Ten Hag, shkaku që ky i fundit shpesh ka thënë se “Djajtë e Kuq” s’janë në gjendje për ta fituar aktualisht Premierligën ose Ligën e Kampionëve.
“Man United duhet të rindërtohet. Trajneri, ai thotë se nuk mund të garojë për ta fituar ligën ose Ligën e Kampionëve. Si trajner, nuk mund të thuash se nuk lufton për të fituar ligën ose Ligën e Kampionëve”.
“Duhet të jesh, psiqikisht gati. Dëgjo, ndoshta mund të thuash nuk e kemi potencialin. Duhet të provojmë, duhet të provosh”.
Ronaldo tha se Man Unitedi duhet të rindërtohet dhe që i duhen ndryshime në të gjitha aspektet.
“Klubi duhet të rindërtohet sepse është një nga më të mirët në botë, por duhen ndryshime. Është mënyra e vetme. Duhet ta ndryshojnë strukturën, presidentin, gjithçka”.
“Klubi po investon në stërvitje, prandaj jam i lumtur. Nuk jam i lumtur me mënyrën si ndodhi, por në të njëjtën kohë nuk mund të kontrollojmë disa gjëra në jetë, është tashmë e kryer”.
Përndryshe, ylli i Al Nassr shtoi se Man Utd mori vendimin e duhur duke rikthyer në skuadër Ruud van Nestelrooy.
“Nëse Erik ten Hag e dëgjon Ruud, ndoshta mund t’i ndihmoj. Klubi duhet t’i dëgjojë lojtarët që kanë qenë aty. Ty (Rio) ose Roy Keane, Paul Scholes, Gary Neville, kush do, Sir Alex Ferguson”.
“Nuk mund të rindërtosh pa dijeni. Jo ata që qëndrojnë në zyre, besoj e kuptojnë”.
“Besoj se Ruud do të ndihmojë sepse ishte brenda klubit. E njeh klubin, tifozët”.