Malisheva ia shkakton humbjen e parë Zekirija Ramadanit në krye të Dritës, fitojnë edhe Feronikeli 74 e Dukagjini
Janë zhvilluar tre ndeshjet e para të javës së 18-të të Superligës së Kosovës, ku ndeshja kryesore ishte ajo mes Dritës e Malishevës e zhvilluar në Gjilan, me mysafirët që morën fitore 2:1. Në anën tjetër Dukagjini fitoi krejt në fund ndaj Gjilanit, e Feronikeli e mposhti Fushë Kosovën.
Që nga marrja e detyrës së trajnerit të Dritës, Zekirija Ramadani, nuk dinte për humbje, duke fituar tre takime, por sot dështoi ta bënte të njëjtën gjë.
Drita 1:2 Malisheva
Nënkampioni i Kosovës e filloi shumë mirë takimin, ku vetëm pesë minuta kaluan dhe shënuan golin e epërsisë për 1:0, me Blerim Krasniqin realizator e Besnik Krasniqin në rolin e asistuesit.
Gëzimi nuk zgjati edhe shumë. Malisheva e barazoi rezultatin në minutën e 17-të me golin e Drilon Hazrollajt, i asistuar nga Etnik Brruti.
Për fitoren e madhe realizoi Altin Aliu krejt në fund të pjesës së parë, me Hazrollajn që në këtë rast ishte në cilësinë e asistuesit.
Gola më në pjesën e dytë nuk pati, përkundër se Drita dominoi. Malisheva mori tre pikët e arta dhe tani ka 29 pikë në vendin e katërt, dy më pak se Drita që gjendet në vendin e dytë me 31 pikë pas 17 ndeshjeve.
Dukagjini 1:0 Gjilani
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin 18 qershori në Klinë, i takoi vendasëve, që në çastet e fundit shënuan fitore.
Të dy skuadrat patën rastet e tyre, por dështuan të realizonin, me vetëm Dukagjinin që gjeti rrjetën me anë të Faton Nezirit në minutat shtesë të takimit.
Dukagjini gjendet në vendin e gjashtë me 24 pikë, ndërsa Gjilani në vendin e tetë me 17 pikë.
Fushë Kosova 0:1 Feronikeli 74
Feronikeli ka shënuar fitore ndaj Fushë Kosovës në udhëtim me rezultat 1:0, për t’u larguar sadopak nga zona e rrezikshme.
Kur kaluan nëntë minuta lojë, Granit Musa e çoi topin në rrjetë, i asistuar nga Bachare Razack, për 1:0.
Pampurat shënuan gol në pjesën e dytë përmes Osman Mëziut, por që u anulua nga VAR, për shkak të prekjes së topit me dorë.
Kështu Feronikeli 74 fitoi dhe mori tre pikë, dhe tani renditet në vendin e shtatë me 21 pikë, ndërsa Fushë Kosova me 10 pikë në vendin e parafundit.