Malisheva e trondit Ballkanin, Prishtina e arrin fitoren e parë në vitin 2022 - NACIONALE

Malisheva e trondit Ballkanin, Prishtina e arrin fitoren e parë në vitin 2022

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Malisheva e ka tronditur 2:0 Ballkanin, duke ia ndërprerë ecurinë prej gjashtë fitoreve radhazi në gjashtë ndeshjet e para nën udhëheqjen e trajnerit të ri Ilir Daja.

Ndërkohë - në dy takimet e tjera të javës së 24-të, të zhvilluara sot po ashtu - Prishtina e mundi 3:0 Feronikelin në duelin e dy klubeve të thelluara në krizë financiare.

Ky ishte fitorja e parë në ligë për kampionin në fuqi këtë vit. Dhe ishte e natyrshme duke e ditur se ish-kampioni i Kosovës po luan me juniorë, përdallim nga kryeqytetasit.

E derbi i klubeve në luftë për mbijetesë mes Ulpiana dhe Dukagjinit u mbyll baras 1:1.

Malisheva, e porsapromovuar në elitë, e krijoi një epërsi të shpejtë brenda tre minutave pak para pushimit mes pjesëve në stadiumin Liman Gegaj.

Mërgim Pefqeli i dha epërsinë skuadrës së Arsim Thaqit në minutën e 41-të, duke e mposhtur portierin Stivi Frashëri me një goditje të fuqishme brenda zonës. Mbase 31-vjeçari mund të këtë bërë më shumë për ta shmangur pranimin e golit.

Arbër Pira e dyfishoi epërsinë për vendasit duke e mposhtur Frashërin në shtyllën e parë, pasi u shërbye nga Xhevdet Shabani.

Lojtarët e Ballkanit nuk ishin në gjendje të shënonin në pjesën e dytë për t’ia shmangur Dajës humbjen e parë në stolin e klubit nga Suhareka.

Ky dështim, për më tepër, i jep mundësi Gjilanit - i cili do të përballet me Dritën në derbin e qytetit nesër - ta kalojë Ballkanin në krye të tabelës së Superligës.

Ballkani ngel lider me 48 pikë, dy më shumë se Gjilani dhe shtatë më shumë Drita, por gjërat mund të ndryshojë përsëri nesër dhe mund ta kemi një lider të ri apo një garë trifrontëshe për titull.

Prishtina - e cila nuk e kishte fituar asnjërën prej pesë ndeshjeve të para në pjesën e dytë të këtij sezoni - mbetet në vendin e gjashtë me 29 pikë, aq sa ka edhe Malisheva në vendin e shtatë, pas dy fitoreve radhazi.

Dukagjini dhe Ulpiana mbesin ende me shpresa për mbijetesë në vendet tetë dhe nëntë me nga 25 dhe 23 pikë, përkatësisht.

Feronikeli, që pothuajse tërë sezonin është duke luajtur me ekip të rinjve, është i fundit me 11 pikë dhe pa shpresa për të mbijetuar në Superligë.

Lajme të ngjashme