Malisheva bindëse ndaj Trepçës '89, “paqe” mes Ferizajt dhe Drenicës
Malisheva ka shënuar fitore bindëse ndaj Trepçës '89 (4:0), derisa Ferizaj dhe Drenica ndanë pikët (1:1), në kuadër të xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës.
Ndeshja më interesante ishte mes Malishevës dhe skuadrës mitrovicase, ku vendasit në fund triumfuan me rezultat të thellë 4:0.
Pjesa e parë ishte shumë e barabartë mes dy skuadrave që krijonin aksione të njëpasnjëshme, ose provonin nga kundërzbritjet mirëpo u mungoi finalizimi.
Në 45-minutëshin e dytë, Malisheva tregoi krejtësisht "fytyrë tjetër". Fillimisht qendërsulmuesi Ronald Sobowale shënoi një gol të bukur për të kaluar në epërsi (59').
Situata u vështirësua për Trepçën '89, kur Rexhaj në përpjekje për ta larguar topin e dërgoi në portën e vetë (72').
Ndërsa, Alban Shillova gjashtë minuta pa përfunduar koha e rregullt (84') trefishoi epërsinë duke qetësuar vendasit.
Fitoren e madhe të Malishevës e vulosi Behar Maliqi në përfundimin e ndeshjes (89').
Me këtë fitore shumë të rëndësishme, Malisheva ngritët në pozitën e gjashtë në tabelë me 16 pikë të mbledhura, derisa Trepça '89 vazhdon me formën e dobët ku renditët në pozitën e parafundit me 11 sosh.
Në anën tjetër, Ferizaj në fundin e ndeshjes arriti të arkëtoi një pikë në përballjen ndaj Drenicës.
"Kuq e Zinjtë" ishin të parët që kaluan në epërsi përmes sulmuesit Agim Zeka (37'), rezultat me të cilin skuadrat edhe shkuan në pushime.
Mirëpo, pjesa e dytë mund të thuhet se i takoi Ferizajit, skuadër kjo që e kishte dominimin në kohën më të gjatë.
Heroi për vendasit ishte Gentrit Haliti që shënoi një gol të bukur (87').
Kështu, Drenica mban pozitën e pestë në tabelë me 17 pikë të mbledhura, derisa Ferizaj vazhdon të jetë në fundin e tabelës me tetë sosh.