Luis Enrique dëshironte ta merrte drejtimin e Chelseat menjëherë, Boehly vendosi për Lampardin
Ish-trajneri i Spanjës, Luis Enrique, dëshironte që ta merrte drejtimin e Chelseat menjëherë dhe të ishte në stolin e të kaltërve në ndeshjen kundër Real Madridit, por mbeti i zhgënjyer kur mësoi se Todd Boehly kishte zgjedhur Frank Lampard në vend të tij.
Enrique raportohet se ka mbajtur një takim në platformën ‘Zoom’ me hierarkinë e Chelseat dhe kishte komunikuar dëshirën e tij për të menaxhuar klubin kundër Madridit në Ligën e Kampionëve, një lojë që të kaltrit e humbën 2:0 nën urdhrat e Lampardit. Pasi ka drejtuar më parë Barcelonën, thuhet se Enrique ishte shumë i motivuar të përballej me ‘Mbretërit’, duke ditur se kishte njohuri rreth përgatitjes së ndeshjeve ndaj kësaj skuadre.

Chelsea ka qenë në krizë dhe nuk ka fituar asnjë nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, nën drejtimin e Potter dhe Lampard, duke i lënë ata në vendin e 11-të në tabelën e Premierligës pas humbjes 2:1 të së shtunës ndaj Brightonit. Kjo humbje ishte aq e hidhur, sa disa tifozë të Chelseat u panë duke u përballur me pronarin Todd Boehly në Stamford Bridge.

Enrique vazhdon të jetë një nga trajnerët e profilit të lartë pa punë dhe ka pasur sugjerime se ai mund të marrë rolin e Chelsea këtë verë, me Lampard që ka të ngjarë të largohet pasi të përfundojë sezoni, pasi u emërua si trajner kujdestar.

