Real Madrid pranë gjysmëfinales, shënon fitore komode ndaj Chelseas
Real Madrid ka bërë një hap pozitiv drejt gjysmëfinales duke mposhtur në shtëpi Chelsean në kuadër të çerekfinales së Ligës të Kampionëve.
"Los Blancos" zhvilluan lojë të bukur më dominuese nga minuta e parë, për të fituar në fund me rezultat komod 2:0.
Chelsea e nisi më mirë duke tentuar me Joao Felix, i cili provoi me një goditje brenda zonës por që u ndalë nga Courtois.
Real Madrid mbante dominimin dhe kaloi në epërsi pas 22 minutave lojë. Dani Carvajal gjeti për mrekulli Vinicius Junior i cili e pasoi te Karim Benzema, me francezin që e kishte të lehtë të shënonte në portën e zbrazur.
Pas këtij goli, Chelsea kishte rastin e artë përmes Raheem Sterling mirëpo Courtois sërish me një tjetër pritje mahniti të gjithë të pranishmit në "Santiago Bernabeu".
Në pjesën e dytë, situata për "Blutë" e Londrës u vështirësua pasi mbrojtësi Ben Chilwell mori karton të kuq me një ndërhyrje te Rodrygo duke qenë futbollisti i fundit i vijës së mbrojtjes (59').
Ishte Marco Asensio që vulosi fitoren me një gol të bukur nga distanca pas një tjetër asistimi të Vinicius Juniorit (74').
Me këtë fitore, Real Madrid bën hapin e madh drejt gjysmëfinales derisa synon ta kryejë punën në javën tjetër, ku Chelsea do ta mirëpret në "Stamford Bridge".