Loriana Kuka i jep fund karrierës në xhudo
Xhudistja kosovare, Loriana Kuka, i ka dhënë fund karrierës së saj, pas humbjes që pësoi në 1/8 e finales në Lojërat Olimpike Paris 2024.
27-vjeçarja e nisi shumë mirë garën në Paris, ku e fitoi luftën e raundit të parë me Ippon, por në 1/8 e finales u përball me një garuese nga Ukraina, Lytvynenko, e 10-ta në botë, e cila e mposhti me Waza-ari, për t'ia mohuar ëndrrën drejt një medalje olimpike.
Pas garës, i pari ishte trajneri Driton Kuka që njoftoi pensionimin e saj duke i uruar fat në rrugëtimin e ri jetësor, ku edhe përmendi sakrificat e garueses.
Ndërsa, ishte vet Loriana Kuka që në një pronocim për Komitetin Olimpik të Kosovës e njoftoi pensionimin.
"E nisa ditën shumë mirë, shumë e fokusuar, jam shumë e lumtur që të paktën e fitova luftën e parë. Edhe në luftën e dytë isha e koncentruar, e dija çfarë duhet të bëja, por fati nuk e deshi që të shkojë deri në çerekfinale. Kam garuar me plot lëndime. Jam krenare që kam garuar deri më sot me tërë këto lëndime e që nuk jam ndalur kurrë. Kjo ishte gara e fundit për mua. Doja që të përfundonte më mirë, por jam krenare me atë se çfarë kam arritur deri më sot."
Loriana Kuka ndonëse pa medalje olimpike, ka një karrierë të pasur. Ajo ka fituar shtatë medalje të arta, dy të argjendta dhe 11 të bronzta, duke veçuar të artën në Grand Prix Tbilisi 2019, teksa ishte kampione evropiane për U23, dhe medaliste e artë në Lojërat Mesdhetare 2022.
Kujtojmë se 27-vjeçarja është kualifikuar dy herë në Lojërat Olimpike (Tokio 2021 dhe Paris 2024), duke arritur deri në 1/8 e finales