Loriana Kuka fiton medaljen bronztë në Portugali
Xhudistja kosovare, Loriana Kuka, ka fituar medaljen e bronztë në Portugali, gjegjësisht në Grand Prix Almada 2023.
Përmes katër fitoreve që arriti t’i shënojë në Grand Prixin që po zhvillohet në Almada të Portugalisë, xhudistja kosovare, Loriana Kuka, arriti të dalë me medalje.
Ajo fitoi medaljen e bronztë, pasi ngadhënjeu ndaj xhudistes koreano-jugore, Jeongyn Lee. Për të gjithçka nisi mirë që në fillim të kësaj gare.
Në fillim ia doli që të triumfojë ndaj Michalidoun e më pastaj mposhti edhe garuesen Chalan. Kur shkoi në mesin e tetë më të mirave, aty hasi në vështirësinë e parë.
Kuka u mposht në 1/4 e finales ndaj ukrainases Lytynenko. Duke iu falënderuar repesazhit, xhudistja kosovare pati një mundësi të dytë për t’u rikthyer dhe riafirmuar.
Kështu, ajo mposhti xhudisten Brolih në duelin e repesazhit. Falë një Ipponi siguroi një fitore tejet të vlefshme që ia mundësoi asaj stolisjen me një tjetër medalje të radhës.
🥋🇽🇰Loriana Kuka fitoi medaljen e bronztë🥉 në Grand Prixin e Almadas së Portugalisë dhe 350 pikë olimpike @Paris2024
— NOC KOSOVO 🥇🥇🥇 (@NOCKOSOVO) January 29, 2023
Xhudistja jonë shënoi katër fitore, në kategorinë -78 kg.#judoalmada2023 #RoadToParis2024 pic.twitter.com/nvACDaTdfM
Medaljen e njëjtë 25-vjeçarja e kishte fituar edhe në kryeqytetin azer gjatë nëntorit. Në Uzbekistan, gjegjësisht në Botërorin e Xhudos 2022, nuk kishte përmbushu pritjet. Në rrethin e tretë të kompeticionit në fjalë mposhtej nga Lytynenko – njësoj siç u mposht edhe sot në çerekfinale nga po e njëjta xhudistë.
Kësisoj, forma e xhudistes pejane ka qenë jo gjithmonë stabile, por prapëseprapë mbetet një garuese shumë cilësore, e cila gjithnjë mund t’i sjellë vetes dhe vendit tonë medalje – ashtu siç bëri edhe sot.