Loriana Kuka e artë, medalja e gjashtë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare
Xhudistja kosovare, Loriana Kuka, ka fituar medaljen e artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Algjeri. Kjo është medalja e tretë e artë për Kosovën në këtë garë dhe të gjitha janë të fituara në Xhudo.
Kuka në finale e mposhti francezen, Chloe Buttigieg, në kategorinë -78 KG, ndërsa për të ardhur deri këtu zhvilloi edhe dy lufta tjera.
Fillimisht në çerekfinale e mposhti turken Nurcan Yilmaz me ippon e pastaj në gjysmëfinale u takua me Petrunjela Pavic, të cilën e mposhti në ‘Golden Score’ me ippon.
Ndeshja gjysmëfinale ishte e mundimshme për Kukën, pasi që iu deshtë të luftonte për 10 minuta që ta siguroj finalen.
Kjo është medalja e gjashtë e artë për Lorianën në të gjitha garat, ndërsa në karrierën e saj ka edhe dy medalje të argjendta dhe shtatë të bronzta.
.jpg)
Për Kosovën më herët medalje të artë siguroi edhe Distria Krasniqi e Laura Fazliu, ndërsa me medalje të bronztë u stolisën edhe tre garues tjerë të Kosovës, nga Xhudo, Akil Gjakova dhe Flaka Loxha, ndërsa nga Boksi, Shpetim Bajoku, i cili mbetët medalisti i vetëm i Kosovës jashtë sportit të Xhudos.
Distria Krasniqi ishte e para ajo që ngriti Kosovën në podium, e cila shkëlqeu në kategorinë e saj -52 KG, duke fituar të gjitha ndeshjet me Ippon, ndërsa po të njëjtën ditë Flaka Loxha, fitoi të bronztën në repesazh në kategorinë -57 KG, kundër turkes, Hazret Bozkurt, të cilën e mposhti në ‘Golden Score’.

Një ditë më vonë, përkatësisht më 30 qershor, ishte dita kur Kosova u stolis edhe me tri medalje të tjera.
Laura Fazliu u tregua fantastike në tri ndeshjet e saj në kategorinë -63 KG, fillimisht në çerekfinale kaloi pa luftë e aty për t’u takuar me kroaten Iva Oberan, pastaj në gjysmëfinale e mposhti Amina Belkadi, garuese kjo që kishte ndihmën e tifozëve vendas, por kjo Fazliut nuk i bëri përshtypje duke e fituar ndeshjen me wazzari. Në finale u takua me spanjollen Cristina Cabana Perez, e cila ishte e vetmja luftë e mundimshme për kosovaren, pasi që e mposhti në ‘Golden Score’ për medaljen e artë.

Akil Gjakove edhe pse fitoi medaljen e bronztë ishte i pafat, pasi që shumë lehtë mund të garonte për medalje të artë.
Gjakova rundin e parë e kaloi pa luftë, e në çerekfinale u takua me grekun, Michail Tsoutlasvili, të cilin e mposhti lehtësisht me ippon në vetëm dy minuta ndeshje, por në gjysmëfinale u ndal nga algjeriani, Dris Redouane, pasi që në ‘Golden Score’ pësoi një wazzari. Humbja në gjysmëfinale, Akilit ia mundësoi luftën për medaljen e bronztë në repesazh, ku u takua me italianin, Manuel Lombardo, të cilin pas shtatë minuta luftë e mposhti me rezultat 1:0, kështu për ta fituar medaljen bronztë.

Bajoku dy ndeshjet e para i fitoi lehtësisht, të dyja me rezultat 3:0. Fillimisht në rundin e 16 më të mirëve e mposhti tunizianin, Abdesalem Sassi, e pastaj në çerekfinale e mposhti egjiptianin, Essam Amen, por në gjysmëfinale u mposht nga boksieri algjerian, Yahia Abdelli, me rezultat 2:1. Kjo ishte edhe lufta e fundit për boksierin kosovar, i cili u mjaftua vetëm me medaljen e bronztë.

Kosova tashmë ka gjashtë medalje në Lojërat Mesdhetare, tri medalje të arta dhe tri të bronzta.
Në ditët në vazhdim Kosova do të përfaqësohet në Not me Vanesa Bekën dhe Alush Telakun në disiplinën: Flutur dhe Bretkosë.