Loreta Kullashi nënshkruan për Interin
Futbollistja kosovare, Loreta Kullashi, është transferuar te skuadra e grave të Interit nga Rosengard, klub ky në Suedi.
25-vjeçarja është me prejardhje nga qyteti i Pejës, por që e lindur në Helsinki të Finlandës.
Ajo në moshën pesëvjeçare është larguar për në Suedi, ku edhe e ka filluar karrierën e saj në futboll, për të shkëlqyer e duke rënë në sy të gjigantit italian, Inter.
Kullashi karrierën profesionale e nisi në AIK, ku luajti suksesshëm për dy vite, për t'u transferuar te Eskilstuna United, për të qëndruar për katër sezone, e ku shënoi 27 gola në 76 paraqitje.
Në vitin 2021 u transferua te Rosengard, klub në Malmo, teksa dy vite më vonë u huazua për një periudhë në Itali te Sassuolo.
Tash, siç ka njoftuar faqja zyrtare e Interit, Loreta Kullashi ka nënshkruar me zikaltrit për dy vitet e ardhshme, pra deri më 30 qershor të vitit 2026.
Official ✍️#ForzaInter #InterWomen #WelcomeLoreta pic.twitter.com/Rw88miswHJ
— Inter Women (@Inter_Women) August 23, 2024
Kullashi luan si sulmuese, teksa në nivelin ndërkombëtar e përfaqëson Suedinë, ku për ekipin e parë i ka bërë shtatë paraqitje, duke shënuar tre gola.