“Lojtari më zhgënjyes në derbi”: Si u paralajmërua lënia në bankinë e Rashicës nga shtypi turk?
Shtypi turk gjatë orëve të fundit kishte raportuar se seria e tetë ndeshjeve titullar e Milot Rashicës do të përfundonte sot. Arsyeja është e thjeshtë: paraqitja zhgënjyese në derbin kundër Fenerbahçes. Dhe, ashtu ndodhi. Sulmuesi kosovar u la në stol.
Milot Rashica ka qenë në sy për të mirë te Galatasaray gjatë këtyre tre muajve. Vazhdimisht ishte në mesin e lojtarëve që përbënin formacionin startues. Kështu ishte deri më sot, kur trajneri Buruk vendosi ta lërë në stol për ndeshjen kundër Hatayspor që filloi në ora 18:00.
Sipas mediumit turk “Aksam” paraqitja e përfaqësuesit kosovar është interpretuar si zhgënjyese kundër Fenerbahçes. Derbi ky që Galatasaray e fitoi me rezultat bindës, gjegjësisht 3:0, vetëm para një jave.

Një tjetër argument shtesë që ka përforcuar idenë e lënies në stol të Rashicës është mosefikasiteti apo produktiviteti për të shënuar gol. Ai në kampionat rrugën e rrjetës nuk e ka gjetur akoma.
Vendin e tij për ndeshjen e sotme e ka marrë Mata, edhe pse ai do të luajë në një tjetër pozitë, respektivisht si sulmues i dytë dhe Yilmaz do të zhvendosët në krahun e djathtë ku luante Rashica këto javë.
Galatasaray për momentin është lider në kampionatin turk, duke udhëhequr me katër pikë më shumë sesa rivali kryesor lokal Fenerbahçe.
Në sezonin e sivjetëm të Superligës turke Rashica ka kontribuar me 3 asiste, ndonëse jo me ndonjë gol të shënuar. Gjatë pjesës dërrmuese të paraqitjeve është lëvduar nga tifozët dhe mediet turke, për shkak të angazhimit të madh që ka treguar për skuadrën e tij.
