Lojtari i Superligës vendore ftohet për herë të parë në Kombëtaren e Kosovës
Mbrojtësi i liderit të Superligës Ballkani, Lumbardh Dellova, është thirrur për herë të parë në Kombëtaren e Kosovës për dy ndeshjet miqësore të këtij fundmuaji.
Dellova, 23 vjeç, i cili iu bashkua Ballkanit nga Hajduku i Splitit në janar duke nënshkruar marrëveshje deri në vitin 2024 me klubin nga Suhareka, do ta zëvendësojë në grumbullimin e Kosovës të lënduarin Emir Sahiti.
Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se trajneri Alain Giresse ka vendosur ta zëvendësoj Sahitin me Dellovën.
Është një vendim befasues i trajnerit francez, duke qenë se e ka zëvendësuar një sulmues anësor me një qendërmbrojtës. Për më tepër, Giresse ishte i pranishëm për vëzhgim në ndeshjen e Kupës së Kosovës mes Llapit dhe Gjilanit në mesjavë.
“Mbrojtësi i spikatur i KF Ballkanit, Lumbardh Dellova i është bashkuar Kombëtares së Kosovës në grumbullimin për dy miqësoret e këtij muaji kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kosova do të përballet me Burkina Fason të enjten, 24 mars, në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë në miqësoren e parë të këtij viti, para se të udhëtojë drejt Zurich për t’u takuar me Zvicrën në atë që po cilësohet si një ndeshje vëllazërore.
Giresse, 69 vjeç, njoftoi dje në konferencën për media se Emir Sahiti, i cili ishte ftuar për herë të parë nga Kosova, nuk iu bashkua ekipit në grumbullim fare për shkak të një lëndimi.
Ish-mbrojtësi i Prishtinës është lojtar i vetëm i Superligës vendore pjesë e grumbullimit të parë të Giresses, i cili e stërviti kombëtaren dardane për herë të parë dje në Stadiumin Fadil Vokrri.
Në të kaluarën, ylli nga Rahoveci e kishte përfaqësuar ekipin kombëtar U21 të Kosovës në dy ndeshje.
Giresse ishte i qartë dje në konferencë për media se lojtarët e Superligës do ta kenë të vështirë të jenë pjesë e Kombëtares, duke thënë do të ftohen lojtarët e ligave evropiane, ku niveli i futbollit është shumë më i lartë dhe për të cilën beson se janë shumë më të përgatitur.
Miqësoret me Burkina Fason me Zvicrën do t’i shërbejnë ish-trajnerit të Malit dhe Senegalit si një test i mirë për të për t'u njohur me lojtarët e Kosovës.
Puna e vështirë për francezin nis në qershor, kur Kosova e nis edicionin e tretë në Ligën e Kombeve. Verdhekaltrit janë në Ligën C në një grup me Greqinë, Irlandën Veriore dhe njërën mes Estonisë dhe Qipros.