“Lojtarët që po na refuzojnë nuk e dinë sa gjaku është derdhë për Kosovën” – Bernard Berisha rrëfehet për Nacionalen
Sulmuesi Bernard Berisha thotë se lojtarët që kanë refuzuar fanellën tonë nuk e dinë historinë e Kosovës, derisa tregoi se ka pritur një ftesë nga Alain Giresse për ndeshjet e qershorit.
Kombëtarja e Kosovës deri më tani ka zhvilluar dy ndeshje, fillimisht duke e nisur në mënyrën më të mirë të mundshme duke mposhtur Qipron, e pastaj pësoi humbje nga Greqia në “Fadil Vokrri”.
Berisha në një intervistë për Gazetën Nacionale tha se fitorja ndaj Qipros ishte shumë e mirë, derisa shpreson që humbja ndaj grekëve veç do t’i forcojë "Dardanët".
“Po fitorja ndaj Qipros ka qenë shumë e mirë, por humbja me Greqinë na ka prish shumë punë, por unë shpresoj se kjo humbje veç do na bëjë më të fortë”.
I pyetur për këtë situatë, Berisha refuzoi të komentojë ngase nuk është i pranishëm.
“Unë nuk jam aty, prandaj edhe nuk mundem me jep ndonjë mendim rreth kësaj situate”.
Berisha tutje tregoi se ka pritur ftesë nga Kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e qershorit, mirëpo zbulon se është duke i pëlqyer mënyra e punës së Giresse, pasi ky i fundit po i jep mundësinë të gjithë lojtarëve të tregojnë kapacitetin.
“Normal që kam prit ftesë, mendoj që i duhem Kosovës sepse unë te skuadra ime jam kapiten dhe luaj në çdo ndeshje, por me trajnerin e ri jam i kënaqur sepse ju ka jep mundësinë të gjithë lojtarëve të grumbulluar dhe mezi po pres ftesën nga selektori”.

Nuk kishte si të mungonte as mesazhi i Berishës për ‘dezertorët’ që janë duke refuzuar fanellën e Kosovës për një tjetër kombëtare, siç ishte rasti i Edvin Kurtulus disa javë më parë. Ylli i Akhmat thotë se lojtarët që janë duke refuzuar “Dardanët” nuk e dinë sa gjaku është derdhë për këtë vend.
“Është shumë e vështirë për të gjithë ne kur një lojtar e refuzon Kosovën, po shumica e lojtarëve që na kanë refuzuar nuk e dinë historinë e Kosovës, nuk e dinë sa gjaku është derdhë për këtë vend që ne sot e gëzojmë”.
Në fund, i pyetur për të ardhmen, Berisha bëri të ditur se është në negociata me disa klube dhe që shumë shpejtë do të jep vendimin përfundimtar, por jo para se të bisedojë edhe me presidentin e klubit.
“Unë me klubin kam edhe një vit kontratë, kam shumë oferta dhe jam duke i shqyrtuar me menagjerin tim dhe së shpejti do vendosim për të ardhmen ngase unë kam shumë respekt për klubin, për njerëzit aty e sidomos për presidentin e klubit dhe më duhet të flas direkt me të pastaj do të vendos në cilën skuadër do e vazhdoj sezonin e re”, përfundoi ai për Gazetën Nacionale.
Kujtojmë, se Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë edhe dy sfida të tjera brenda kësaj jave.
Fillimisht, “Dardanët” do të përballen me Irlandën Veriore në “Fadil Vokrri” e pastaj do zhvillojnë përballjen e dytë ndaj Greqisë, këtë herë në Athinë.
Momentalisht në ligën C, grupi 2 – Kosova qëndron e dyta me tre pikë të mbledhura, tre më pak se lideri Greqia, kurse Irlanda Veriore dhe Qipro kanë nga një pikë.