“Loja e parë, fitorja e parë” – Reagimi i Ronaldos pas debutimit për Al Nassr - NACIONALE

“Loja e parë, fitorja e parë” – Reagimi i Ronaldos pas debutimit për Al Nassr

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Cristiano Ronaldo është shumë i lumtur që Al Nassr arriti t’i fitojë tri pikë në ndeshjen e tij debutuese në kampionatin e Arabisë Saudite dhe shprehu mirënjohje ndaj bashkëlojtarëve dhe tifozëve.

Sulmuesi portugez debutoi për Al Nassr të dielën madje si kapiten e skuadrës, në fitoren 1:0 kundër Al-Ettifaq.

Talisca e shënoi golin e fitores për Al Nassr dhe pavarësisht se nuk arriti të lërë mbresa në debutimin e tij, Ronaldo ishte i kënaqur me rezultatin e ndeshjes.

Pas ndeshjes, 38-vjeçari shkroi në Twitter: “Ndeshja e parë, fitorja e parë. Ju lumtë, djem! Faleminderit të gjithë tifozëve për përkrahjen e jashtëzakonshme”.

Kjo ishte paraqitja e parë e Ronaldos për klubin saudit në një ndeshje garuese, pasi ai kishte debutuar fillimisht në një ndeshje miqësore për ekipin e kombinuar mes Al Nassr dhe Al Hilal kundër Paris Saint-Germainit javën e kaluar.

Në atë ndeshje, Ronaldo shënoi dy gola, por skuadra e tij humbi 5:4 kundër gjigantit francez.

Ronaldo pritet të luajë titullar për Al Nassr në ndeshjen e radhës kundër Al Ittihad, një gjysmëfinale e Superkupës së Arabisë Saudite të enjten.

Ronaldo iu bashkua Al Nassrit në dhjetor si lojtar i lirë, pasi u largua nga Manchester Unitedi duke e shkëputur kontratën me pëlqim dypalësh.

Ai nënshkroi marrëveshje deri në vitin 2025 me klubin saudit, e cila e bën atë futbollistin më të paguar në botë me 200 milionë euro në vit.

Lajme të ngjashme