Haxhihamza i mbron dy penallti për t'i ndihmuar Dukagjinit të mposhtë Llapin
Sot në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë është zhvilluar ndeshja ndërmjet Llapit e Dukagjinit, përballje kjo që i takon javës së 12-të nuk u zhvillua një javë më parë. Llapjanët nuk arritën assesi të këndellën nga humbja e javës së kaluar nga Prishtina dhe sërish janë mposhtur, kësaj radhe nga klinasit me rezultat minimal 1:0, ku heroi i takimit ishte portieri, Kenan Haxhihamza që priti dy penallti.
Skuadra e udhëhequr nga Tahir Batatina hyri në këtë ndeshje në pozitën e gjashtë me 11 ndeshje të zhvilluara e me 13 pikë të grumbulluara, ndërsa Dukagjini jo më mirë ku u gjend në pozitën e parafundit, pra të nëntën me nëntë pikë në 12 ndeshje.

Sa i përket ndeshjes, Dukagjini ishte diç më e mirë gjatë 90 minutave në përgjithësi, por që edhe llapjanët arritën të rrezikonin portën.
Fillimisht me anë të sulmuesit Otto John, Dukagjini arriti të shënonte, por goli u anulua me vendim të gjyqtarit anësor e që më pas u konfirmuar edhe nga dhoma e VAR-it.
Pak minuta më vonë, Blerind Morina nga mysafirët shkaktoi një penallti në tentim të largimit të topit ku goditi në fytyrë sulmuesin anësor të Llapit, Trimror Selimin dhe gjyqtari kryesor, Mentor Ajeti, ishte afër dhe akordoi 11-metërsh, ku edhe pas konsultimit me VAR-in vendimi qëndroi.
Gerhard Progni goditi nga pika e bardhë por dështoi përball portierit, Kenan Haxhihamza, që priti shumë mirë duke evituar pësimin e golit në minutat e fundit të pjesës së parë.
Me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 49-të, Dukagjini erdhi deri tek goli i epërsisë 1:0, ku shënoi Iljasa Zulfiu me kokë.
Me krijimin e epërsisë nga skuadra e Armend Dallkut, llapjanët filluan të sulmonin më shumë në mënyrë që të vinin te goli, ndërsa Dukagjini rrezikonte herë pas here me kundërsulme.
Ishte sërish një penallti e akorduar për Llapin, kësaj radhe gjyqtari kryesor nuk e pa mirë dhe me ndihmën e VAR-it, penalltia u akordua pas disa minutave shqyrtim.
Për dallim nga hera e parë kur Progni gaboi, tani përgjegjësinë e mori Ilir Krasniqi, por që edhe ky dështoi para heroit të këtij takimit, Kenan Haxhihamza, që priti edhe në këtë rast, për të shpëtuar pikët e plota të skuadrës së tij.

Me këtë humbje, llapjanët qëndrojnë aty ku ishin me 13 pikë në pozitën e gjashtë në 12 ndeshje, prapa Drenicës së vendit të pestë me 16 pikë por që kanë një ndeshje më shumë të zhvilluar, ndërsa Dukagjini bëri përparim duke u ngritur me një pozitë pas kësaj fitore, ku tani ata kanë 12 pikë në vendin e tetë, njëjtë me Malishevën e pozitës së shtatë.
