Llapi i liron deri në 1 euro biletat për ndeshjen me klubin malazez në Fadil Vokrri
Klubi i Llapit ka vendosur që në lojën kthyese që zhvillohet në Fadil Vokrri më 14 korrik ndaj Buducnostit t’i lirojë biletat deri në 1 euro, me arsyen që ta ketë përkrahjen e gjithë tifozëve.
Kujtojmë se Llapi dje u përball me skuadrën malazeze, Buducnost, në Mal të Zi në kuadër të rrethit të parë të Europe Conference League, ku pësoi humbje 2:0 dhe tani në shtëpi me ndihmën e tifozëve shpreson në rikthimin e rezultatit për të ecur tutje.
Vendimin për çmimin e biletave e ka marrë kryesia e Llapit me në krye presidentin e klubit Beqir Batatinën, me qëllimin që tribunat të jenë të stërmbushura.
Dje pas ndeshjes ishte raportuar se kishte pasur thirrje nacionaliste nga tifozët vendas nga Mali i Zi, dhe kjo është një nga arsyet, sipas komunikatës së lëshuar nga skuadra llapjane.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të Llapit pa ndërprerje.
𝐌𝐎𝐁𝐈𝐋𝐈𝐙𝐈𝐌 𝐈 𝐆𝐉𝐈𝐓𝐇Ë 𝐊𝐎𝐌𝐁𝐈𝐓 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐓𝐀𝐑 𝐄 𝐉𝐎 𝐕𝐄𝐓Ë𝐌 𝐈 𝐋𝐋𝐀𝐏𝐈𝐓
Kryesia e klubit në krye me Presidentin z. Beqir Batatina merr vendim që në ndeshjen kthyese më 14 korrik në Stadiumi “Fadil Vokrri”, KF Llapi-FK Budućnost Podgorica, të ketë bileta me çmime solide vetëm që stadiumi të jetë i stërmbushur ndaj atyre që treguan urrejtje jo vetëm ndaj nesh por ndaj gjithë kombit shqiptar në ndeshjen e parë të zhvilluar mbrëmë në Podgoricë.
Çmimet e biletave do jenë si në vijim:
Sektori Veri - Çmimi i biletës: 1 Euro
Sektori Lindje - Çmimi i biletës: 2 Euro
Sektori Perëndim - Çmimi i biletës: 3 Euro
Sektori VIP - Çmimi i biletës: 5 Euro
Bileta do ketë mjaftueshëm në pikat kryesore në qytetin e Podujevës, në shesh të qytetit tonë dhe sheshet e Prishtinës, afër Stadiumit “Fadil Vokrri” dhe çdo vend ku ka kërkesa nga tifozët tanë dhe gjithë tifozët e kombit shqiptar.
BASHKIMI BËNË FUQINË 💪
PËRPARA LLAPI ⚪️🔵
