Llapi zhgënjen me humbje kundër Buducnostit në një ambient përplot tension - NACIONALE

Llapi zhgënjen me humbje kundër Buducnostit në një ambient përplot tension

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Fushata kualifikuese në Conference League nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Llapin, që sot humbi me rezultat 2:0 në udhëtim kundër Buducnostit.

Për hir të vërtetës, që në minutat e para u vu në spikamë një lojë shumë më e sigurt nga ana e Buducnostit. Ekipi malazez e qarkullonte më mirë topin dhe kishte më shumë siguri në lojë.

Tek në minutën e 17-të, Buducnost rrezikoi për herë të parë portën llapjane. Një krosim i shpejt u fut në zonë të rreptësisë, ku u gjend i vetëm Milosevic. Ky i fundit nga një distancë e afërt goditi me kokë, por në fund porta e mbrojtur nga portieri Avdyli shpëtoi mrekullisht.

Llapi ishte inekzistent në fushë. Kjo i kushtoi shtrenjtë, pasi në minutën e 23-të vendësit gjetën golin e epërsisë. Ata me anë të një trekëndshi tipik finalizuan siç ishte më së miri aksionin, me Mijovic që shënoi për epërsinë 1:0.

Llapi dukej i pafuqishëm që ta organizonte qoftë edge një aksion që do të mund ta vendoste në pozitë të palakmueshme kundërshtarin në gjysmëfushën e tij. Me një mesfushë që nuk ia dilte fare ta qarkullonte topin dhe me një repart sulmues që nuk arrinte ta nxjerrte skuadrën përpara - Tahir Batatina pa para syve të tij një ngërç nga loja, të cilin nuk arrinte ta zgjidhte assesi.

Për ta vendosur skuadrën e Llapit edhe më në vështirësi u përkujdes Bianor, i cili u ndëshkua me karton të kuq, pasi u vlerësua se ishte lojtari i fundit që ndërhyri në një aksion të rrezikshëm, i cili po shkonte drejt një situate një kundër një përballë portierit.

Shumë shpejt nikoqirët realizuan edhe golin e dytë. Një ndërprerje e ekzekutuar nga pozita ballore doli të ishte fatale për Llapin. Nga rrjedhat e atij episodi përfitoi siç ishte më së miri Ignjatovic për ta dyfishuar epërsinë.

Nga ky moment mund të konstatohet që pjesa e mbetur e lojës u luajt vetëm formalisht, pasi në fushë vijoi të qëndronte vetëm një skuadër që kishte dominimin e plotë dhe ajo ishte Budocnost.

Me epërsinë 2:0 skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.

Pjesa e dytë nisi me një tempo të lojës më të ulët. Buducnost pa ndonjë telashe të theksuar administroi rezultatin. Llapi vetëm në minutën e 66-të u mundua që ta lëshonte një shkëndijë me sulmuesin Firmino, i cili goditi nga një pozitë e vështirë, me topi që kaloi pranë shtyllës së majtë pingule të ekipit malaze.

Buducnost vijoi të sulmonte, por pa arritur që ta shënonte edhe golin e radhës.

Në minutën e 86-të u regjistrua një episod që cënoi sigurinë e Llapit. Skuadra e Tahir Batatinës nuk ishte e kënaq me vendimet e gjyqtarëve. Tifozët e vendosur nga tribuna ballore poshtë dy bankave zyrtare të ekipeve, hodhën gjësende në drejtim të lojtarëve dhe zyrtarëve të Llapit. Kryesisht ishin shishet e plastikës ato që u përdorën për ta shënjestruar stolin e Llapit. Lojtarët e Buducnost vrapuan për t'i qetësuar tifozët e tyre, duke u kërkuar që të ndaleshin. Kjo rrëmujë zgjati rreth 90 sekonda.

Në një moment u pa edhe delegati i huaj i ndeshjes duke marrë celularin në dorë, me ç'rast filloi duke fotografuar ngjarjet që po ndodhnin, sa për ta pasur një evidencë më të qartë në lidhje me raportimin që do ta japë në UEFA për organizimin e ndeshjes.

Gjithsesi, në fund ndeshja mbaroi me rezultat 2:0. Një humbje e hidhur për Llapin, e cila ia vështirëson tej mase kalimin tutje.

Më 14 korrik në stadiumin "Fadil Vokrri" do të luhet ndeshja e kthimit.

Lajme të ngjashme