Llapi e mposht Gjilanin dhe mbetet në pozitën e parë, Dukagjini rrëmben fitoren e parë të sezonit ndaj Fushë Kosovës - NACIONALE

Llapi e mposht Gjilanin dhe mbetet në pozitën e parë, Dukagjini rrëmben fitoren e parë të sezonit ndaj Fushë Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së gjashtë të Superligës së Kosovës, aty ku Llapi në prani të tifozëve të saj ka shënuar fitore 2:1 ndaj Gjilanit, duke vazhduar kështu ta mbajë kryesimin e tabelës, në anën tjetër Dukagjini vetëm pas gjashtë javësh ka arritur deri te fitorja e parë, duke e mposhtur Fushë Kosovën me rezultat 1:0.

Llapi – Gjilani

Ndeshja e zhvilluar në Arenën Zahir Pajaziti mes Llapit e Gjilanit, ishte e bukur për t’u parë, me skuadrën nga Podujeva që po tregon formë të lartë në këtë fillim sezon.

Në prani të një numri të madh të tifozëve, ata nuk dëshpëruan, duke luajtur lojë tejet sulmuese.

Rreziku i parë pranë golit u shfaq në minutën e 10-të, kur Granit Jashari goditi shtyllën, me rezultatin që mbeti 0:0.

Tetë minuta më vonë erdhi goli i epërsisë. Saktësisht në minutën e 18-të Muhamet Hyseni shënoi gol të bukur, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon me skuadrën e Llapit, për ta çuar rezultatin në 1:0.

Llapi gjeti edhe golin e dytë në pjesën e parë. Ishte Trimror Selimi që çuditërisht startoi si mbrojtës, ai që harkoi për Jasharin, ky i fundit me kokë shënoi për 2:0.

Pjesa e dytë ishte më pak aktive, por gjithsesi pati raste nga dy skuadrat. Një nga rastet më të mira që vlen të veçohet ishte kur Gashi i Gjilanit goditi shtyllën në minutën e 54-të, por ishte i pafat.

'Skifeterat' arritën të ngushtonin rezultatin krejtësisht në fund të takimit me anë të Qëndrim Ismailit, por ishte kaq nga ata për këtë takim, ndonëse bënë një pjesë të dytë shumë të mirë.

Rezultati përfundimtar i takimit ishte 2:1 në të mirë të Llapit dhe tani ata pas gjashtë xhirove kanë 13 pikë të grumbulluara në vendin e parë, ndërsa Gjilani zbret në pozitën e tetë me vetëm katër pikë në pesë ndeshje.

Dukagjini – Malisheva

Dukagjini i Armend Dallkut, nuk e ka nisur edhe mirë sezonin e ri të garave në Superligën e Kosovës, pasi humbën dy ndeshjet e para dhe barazuan në tri radhazi.

Fitorja e parë për ta në sezonin 2023/24 erdhi sot, kur u takuan me Fushë Kosovën në Klinë, stadiumin 18 qershori.

Mysafirët e nisën pak më mirë pjesën e parë të takimit, me Kenan Haxhihamzën që shpëtoi portën e ‘Hithave’ në dy raste rresht. Më vonë edhe Arbenit Krasniqi nuk ia doli të shënonte në një rast shumë të mirë dhe kështu 45 minutat e para u mbyllën me rezultat 0:0.

Në pjesën e dytë, vendasit filluan të sulmonin, me disa raste të mira, por në vend ishte Armend Rugji.

Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 76-të, kur me ndihmën e Valmir Kutllovcit dhe daljes jo të mirë të Rugjit, Theophilus Solomon e çoi Dukagjinin në epërsi 1:0.

Me këtë gol të shënuar u vendos epilogu final i takimit, me Dukagjinin që tani shkon në kuotën e gjashtë pikëve pas gjashtë ndeshjeve, ndërsa Fushë Kosova me vetëm një pikë në fundin e tabelës.

Lajme të ngjashme