Liverpooli triumfon me rezultat komod ndaj Burnleyet, rikthehet në krye të Premierligës
Liverpooli ka shënuar fitore ndaj Burnleyt me rezultat komod 3:1, ku tani të kuqtë sërish janë në vendin e parë në Premierligë, por kujtojmë se skuadra nga Merseyside ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Manchester City fitoi disa orë më parë, për të marrë vendin e parë për disa çaste dhe kjo e vuri në presion skuadrën e Jurgen Klopp sadopak, për të arritur deri te fitorja.
Në Anfield, Liverpooli u paraqit shumë mirë, duke dominuar në posedim dhe duke pasur rastet më të mira në ndeshje.
Goli i parë i takimit u shënua në minutën e 31-të me anë të Diogo Jotas, i cili shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit James Trafford, për të shënuar për 1:0.
Burnley u kundërpërgjigj në minutën e fundit të pjesës së parë, me Dara O'Shea, i cili realizoi gol të bukur me kokë për 1:1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Skuadra e Klopp e vazhdoi me avazin e njëjtë edhe pjesën e dytë, duke thënë fjalën kryesore në fushë, me golin që u arrit shumë shpejt.
Harvey Elliott pranoi shumë mirë një top në krah, të cilin e futi në zonën e rrezikshme, që pastaj u devijua nga një lojtar i Burnleyt dhe Luis Diaz e pati shumë të lehtë të shënonte për 2:1.
Darwin Nunez u kujdes për rezultatin përfundimtar, kur shënoi për 3:1 në minutën e 79-të, një gol të bukur me kokë.
Deri në fundin e takimit, ndryshim në rezultat nuk pati dhe Liverpooli shijoi fitoren e radhës, e cila e çon në kuotën e 54 pikëve, dy më shumë se Manchester City i vendit të dytë, me këta të fundit me një lojë më pak të zhvilluar.