Liverpooli shënon fitore të rëndësishme ndaj Leicester Cityt, tani vetëm një pikë larg zonës së Ligës së Kampionëve
Liverpooli ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim te Leicester City, duke triumfuar me rezultat 3:0, kështu duke bërë që diferenca mes tyre dhe vendit të katërt, Manchester Unitedit, të zbresë në një pikë, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Për të dy skuadrat, kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme, me vendasit që synon fitoren për të dalë nga zona e rrezikshme, ndërsa mysafirët janë në kërkim të pozitës së fundit që dërgon në Ligë të Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Liverpooli ishte dominuese gjatë gjithë takimit, duke krijuar vazhdimisht raste e gjithashtu kontrolluan posedimin e topit.
Ishte Courtis Jones që hapi serinë e golave, kur shënoi në minutën e 33-të për 1:0, pas një aksioni të bukur, që nisi nga këmbët e portierit Alisson Becker.
Vetëm tre minuta më vonë, të kuqtë realizuan edhe golin e dytë në këtë takim. Ishte Jones sërish që shënoi, tani gol shumë të bukur për 2:0, ku asistoi Mohamed Salah.
Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë e takimit, teksa në të dytën u shënua vetëm një gol.
Një ndërhyrje e palejueshme diku 30 metra larg portës, u konkretizua në gol në mënyrë fantastike nga Liverpooli. Ishte Salah që preku topin për Trent Alexander-Arnold, ky i fundit goditi fuqishëm për të shënuar për 3:0, në minutën e 71-të.
Me këtë rezultat përfundoi takimi. Liverpooli tani pas 36 ndeshjeve të zhvilluara ka grumbulluar 65 pikë, një më pak se Manchester Unitedi në 35 ndeshje, ndërsa Leicester City me këtë humbje rrezikon seriozisht të bie në Championship, pasi renditet si e parafundit në tabelë.


