Liverpooli me shumë vështirësi fiton ndaj Nottingham Forest, tani gjashtë pikë larg vendit të katërt - NACIONALE

Liverpooli me shumë vështirësi fiton ndaj Nottingham Forest, tani gjashtë pikë larg vendit të katërt

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Liverpooli ka shënuar fitore shumë të vështirë 3:2 në Anfield ndaj Nottingham Forest, kështu duke çuar serinë e fitoreve në dy. Tani të kuqtë janë gjashtë pikë larg vendit të katërt, që është pozita e fundit që dërgon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm, por Newcastle që mban atë pozitë ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Skuadra e Jurgen Klopp nuk kishte fituar dy ndeshje radhazi në Premierligë që nga fillimi i muajit mars, pra më shumë se një muaj, ndërsa tani dy fitore e shohin me progres në renditjen tabelore.

Pjesa e parë e takimit nuk prodhoi asnjë gol nga dy skuadrat, ndonëse Liverpool po e dominonte ndeshjen thellësisht.

Ndërsa në 45 minutat e dyta u shënuan plot pesë gola.

Ishte Diogo Jota që shënoi golin për epërsinë 1:0 vetëm dy minuta pasi filloi pjesa e dytë, i asistuar nga mesfushori brazilian, Fabinho.

Mysafirët reaguan shpejtë, pasi në minutën e 51-të Neco Williams barazoi rezultatin në 1:1.

Jota shënoi të dytin personal dhe golin për rikthimin e epërsisë për Liverpool, kur shënoi për 2:1 në minutën e 55-të.

Nottingham barazoi sërish rezultatin, tani me anë të Gibbs-White për 2:2 në minutën e 67-të.

Por për fitoren e madhe në skenë doli, Mohamed Salah që shënoi vetëm tre minuta më pas për golin e fitores 3:2, i asistuar bukur nga Trent Alexander Arnold.

Liverpooli me këtë fitore ngjitet në pozitën e gjashtë me 50 pikë nga 31 ndeshje të zhvilluara, ndërsa Newcastle me 30 ndeshje të zhvilluara ka grumbulluar 56 pikë, që gjendet në vendin e katërt.

Në anën tjetër, Nottingham Forest, gjendet në zonën e rrezikshme të tabelës dhe rrezikon seriozisht të bie në Championship, nga ku u promovua në këtë sezon.

Lajme të ngjashme