Liverpool i pandalshëm, Slot: Dyshimet ndaj nesh nuk na shqetësojnë
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, nuk ngurroi të përmendte “ata që na vënë në dyshim” pasi skuadra e tij e pandalshme u shkëput me 13 pikë në krye të Premierligës.
Të kuqtë siguruan një fitore të lehtë 2:0 ndaj Newcastle United të mërkurën në mbrëmje, vetëm një orë pasi dy ndjekësit e tyre më të afërt në tabelë – Arsenal dhe Nottingham Forest – u ndanë në një barazim pa gola në "City Ground".
Ky triumf mesjavë shënoi ndeshjen e pestë radhazi të Liverpoolit në ligë brenda 15 ditëve – një periudhë e ngjeshur në të cilën ata kanë shënuar nga dy gola në çdo përballje dhe kanë grumbulluar 11 pikë nga 15 të mundshme.
"Ka shumë gjëra që më kanë pëlqyer," tha Slot për TNT Sports, teksa analizonte këtë seri rezultatesh. "Pas ndeshjeve me Evertonin, Aston Villën dhe madje edhe ndaj Wolves, që nuk ishte e lehtë, njerëzit nisën të dyshonin për disa gjëra në lojën tonë."
Liverpooli u ndal në një barazim të diskutueshëm 2:2 nga Evertoni në fillim të kësaj periudhe. Katër ditë më vonë, skuadra e Slotit mposhti Wolves, pavarësisht se nuk regjistroi asnjë gjuajtje në portë në pjesën e dytë. Ndërkohë, Aston Villa mori një pikë ndaj tyre. Megjithatë, çdo dyshim mbi forcën e Liverpoolit u shua pas fitores bindëse 2:0 ndaj Manchester Cityt të dielën e kaluar.

"Reaguam shumë mirë kundër Cityt," u shpreh Slot me entuziazëm.
"Dhe papritur të gjithë ishin sërish shumë pozitivë. Ndonjëherë, kur ndodh kjo, lojtarët mendojnë: ‘Tani jemi vërtet të mirë’, dhe ndoshta nuk bëjnë të njëjtin përpjekje si më parë. Ndaj, për të gjitha sfidat mendore që kemi kaluar – nga njerëzit që na vënë në dyshim deri te ata që na lavdërojnë – lojtarët kanë qëndruar të qetë dhe kanë bërë atë që duhet të bëjnë. Kjo do të thotë ta bëjmë sa më të vështirë për kundërshtarët të luajnë kundër nesh, dhe në fund, normalisht, cilësia jonë bën diferencën."
Slot shmangu pyetjet mbi shanset e Liverpoolit për të fituar titullin pas fitores ndaj Newcastleit. "Nuk e di, sepse nuk e shoh në atë mënyrë," u përgjigj ai me indiferencë, duke e zhvendosur fokusin te përballja e javës së ardhshme në raundin e 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve.
"Tani po mendoj për PSG-në, tashmë i kam parë kundër Manchester Cityt dhe jam i impresionuar nga cilësia që kanë. Ata po kalojnë një seri të ngjashme me tonën."
Slot mund të mos ketë nevojë t’i kushtojë shumë vëmendje Premierligës për pjesën e mbetur të sezonit, duke pasur parasysh avantazhin e madh të Liverpoolit. Tani, fokusi do të jetë në fushatën e tyre në Ligën e Kampionëve dhe finalen e ardhshme të EFL Cup kundër Newcastleit më 16 mars.