Liria e ndal me barazim Prishtinën, fitojnë Drita e Llapi
Janë zhvilluar tre ndeshjet e para të javës së 14-të të Superligës së Kosovës, ku Liria është kthyer nga disavantazhi prej dy golave për të barazuar në fund 2:2 me Prishtinën, ndërsa në anën tjetër Drita e ka mposhtur Fushë Kosovën 1:0 me golin e shënuar në minutat e fundit e Llapi me rezultat të njëjtë ka fituar ndaj Feronikelit 74.
Drita - Fushë Kosova
Nënkampioni i Kosovës, Drita, sërish ka vuajtur ndaj Fushë Kosovës, por për dallim nga ndeshja e xhiros së parë, kësaj radhe kanë arritur të marrin pikët e plota me një gol në minutat e fundit të takimit.
Intelektualët ishin dominues në këtë takim, ku patën raste të shumta shënimi, ndërsa te mysafirët u pa një pasiguri e madhe dhe moskoordinimin i mirë i portierit me vijën mbrojtëse gjatë pjesës së parë, por edhe në të dytën në disa raste.
45 minutat e para përfunduan pa gola, ndërsa në pjesën e dytë u shënua goli që vulosi fatin e takimit.
Zhvillohej minuta e 84-të kur një harkim i Ylli Ibrahimit zuri në fjetje mbrojtjen e Fushë Kosovës, me portierin Rugji që bëri një dalje të gabuar dhe kapiteni Besnik Krasniqi shënoi lehtësisht për 1:0.
Me tre pikët e sotshme, Drita afrohet në katër pikë me Ballkanin e vendit të parë, por këta të fundit kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara, ndërsa Fushë Kosova është e parafundit me 10 pikë në 14 ndeshje.
Liria – Prishtina
Lojë e bukur dhe me gola shumë ishte ajo në stadiumin Përparim Thaçi në Prizren, ku u takuan Liria e Prishtina, me ndeshjen që pas 90 minutave përfundoi me barazim 2:2.
Kryeqytetasit e filluan shumë bukur takimin dhe brenda 10 minutave të parë shënuan dy gola të shpejtë.
Ishte fillimisht Jalen Blesa që gjeti golin për epërsinë 1:0 në minutën e tretë të takimit, ndërsa Leotrim Kryeziu shënoi për 2:0 në minutën e nëntë.
Gjatë minutave në vazhdim deri në përfundim të pjesës së parë më gola nuk pati dhe Prishtina shkoi në pushim me epërsi të dyfishtë.
Por, takimi mori rrjedhë tjetër në pjesën e dytë. Skuadra e fundit në tabelë, Liria, u kthye në lojë me dy gola në pjesën e fundit të takimit.
Ishte fillimisht një penallti e shkaktuar nga Hyseni i Prishtinës pas një pakujdesie dhe Andri Stafa mori përgjegjësinë, ku 11-metërshin e shndërroi në gol për 2:1 në minutën e 75-të.
Pak minuta më vonë, saktësisht në minutën e 83-të ishte Meameno që me gol të bukur nga distanca barazoi rezultatin në 2:2, që ishte edhe epilogu final i takimit.
Liria vazhdon të jetë e fundit në tabelë me vetëm nëntë pikë pas 14 ndeshjeve, ndërsa Prishtina është në vendin e pestë, por rrezikon ta humbasë atë nga Dukagjini.
Llapi – Feronikeli 74
Ndeshja në stadiumin Zahir Pajaziti ishte me tempon më të ulët nga tre ndeshjet e sotme, ku përballja u karakterizua me pak raste të pastra shënimi.
Goli i vetëm i takimit u shënua në pjesën e parë, por që i mjaftoi Llapit për të mbajtur një seri pozitive të rezultateve dhe për të mos rritur më shumë diferencën me Ballkanin e vendit të parë.
Ishte Hamdi Namani që sivjet u kthye në vendlindje, ai që shënoi golin e fitores në minutën e 29-të për 1:0, që në fund doli të ishte gol i tre pikëve.
Llapi me këtë fitore gjendet në vendin e tretë me pikë të barabarta me Dritën e vendit të dytë, këta të fundit kanë një ndeshje më pak, ndërsa Feronikeli 74 gjendet në vendin e tetë me 12 pikë në 14 ndeshje.