Liga e Kampionëve: Real Madridi e pret punë e vështirë ndaj Leipzig, Copenhagen udhëton te Manchester City
Dy ndeshjet e radhës të kthimit në Ligë të Kampionëve të fazës së 1/8 së finales zhvillohen sot, ku Real Madridi e pret Leipzigun, ndërsa Copenhagen ka udhëtuar drejt Manchester Cityt.
Mbretërit fituan me shumë vështirësi në udhëtim te skuadra gjermane, madje ishte portieri Lunin në formë të lartë që e mundësoi këtë triumf minimal, me pritjet e tij të jashtëzakonshme, në anën tjetër më lehtë ka kaluar skuadra e Pep Guardiolës, të cilët janë me një këmbë në çerekfinale.
Pasi mësuam dy çerekfinalistët e parë, që ishin Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain, sot është radha të mësohen edhe dy të tjerë.
Skuadra e Carlo Ancelottit, ka nevojë për një fitore apo barazim për të kaluar tutje, me vetëm humbjen që duhet ta evitojnë në çdo mënyrë.
Duke marrë parasysh se ata janë pranë publikut të tyre dhe disa fakte të tjera, Mbretërit konsiderohen favoritët për të fituar dhe për të kaluar tutje.
Te Real Madridi mungojnë ashtu si prej fillimit Courtois, Militao dhe Alaba, ndërsa Klostermann dhe Simakan nuk do të jenë të disponueshëm për mysafirët.
Kompanitë e basteve e kanë cilësuar fitoren e Real Madridit me kuotë 1.57, kundrejt 5.5 të asaj të Leipzig.
🙌 ¡HOY JUGAMOS!
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) March 6, 2024
🆚 @RBLeipzig
🕰️ 21:00 CET
️🏟️ Santiago Bernabéu
#️⃣ #UCL pic.twitter.com/xjmkSr1vgX
Përballja tjetër e mbrëmjes është në Etihad Stadium, ku Manchester City e relaksuar e pret Copenhagen.
Relaksimi vjen për faktin se Qytetarët fituan me rezultat 3:1 në udhëtim dhe se është pothuajse e pamundur që kampioni në fuqi të bëjë ndonjë befasi saqë të eliminohej në këtë fazë, nga një skuadër totalisht jofavorite.
Te Copenhagen ka disa lëndime, ndërsa në skuadrën e Pep Guardiolës vetëm Jack Grealish nuk do të jetë i gatshëm për lojë.
Fitorja e Manchester Cityt kuotizohet 1.11, ndërsa një fitore befasuese e Copenhagen ka kuotë 21.
Olé Olé 🎶 🏆 pic.twitter.com/OCFRcNiT8z
— Manchester City (@ManCity) March 6, 2024
Të dy ndeshjet zhvillohen me fillim nga ora 21:00, ndërsa kujtojmë se shorti për çerekfinalet do të hidhet më 15 mars, pra në fund të javës së ardhshme.