Liga e Evropës: Roma e Liverpooli me një këmbë në çerekfinale, fitojnë bindshëm në ndeshjet e para
Faza e 1/8 së finales së Ligës së Evropës ka filluar, me Romën që fitoi bindshëm ndaj Brightonit me rezultat 4:0, ndërsa Liverpooli e mposhti 5:1 Sparta Praguen.
Të dy skuadrat tashmë janë me një këmbë në çerekfinale, pasi rezultati i thellë i arritur në këto ndeshje, i lë të qeta skuadrat për ndeshjet e kthimit që zhvillohen pas një jave.
Roma pati punë me skuadrën e Brightonit, me këta të fundit që nuk po kalojnë momente të mira si në sezonin e kaluar.
Serinë e golave e hapi Dybala që shënoi gol të bukur për 1:0 në minutën e 13-të.
Deri në fund të pjesës së parë skuadra nga kryeqyteti i Italisë shënoi edhe një gol, me Romelu Lukakun që hyri në listën e realizuesve në minutën e 43-të.
Skuadra e Daniele De Rossit nuk e ndali hovin as në pjesën e dytë, ku shënuan edhe dy gola të tjerë.
Ishte fillimisht Mancini që çoi topin në rrjetë për 3:0, ndërsa për rezultatin përfundimtar 4:0 shënoi Cristante në minutën e 68-të.
Roma ka filluar të ngjallet me emërimin e legjendes në krye të klubit dhe shkarkimit të Mourinhos, me ndeshjen e kthimit që do të udhëtojnë në Angli pas një jave të relaksuar pas rezultatit të arritur sot.
Në përballjen tjetër Liverpooli u tregua pa mëshirë ndaj Sturm Graz.
Goli i parë u shënua shumë herët, me Mac Allister që gjuajti saktë nga penalltia në minutën e 6-të për 1:0.
Darwin Nunez që po kalon në formë shumë të mirë e dyfishoi epërsinë në minutën e 25-të, ndërsa po i njëjti shënoi për 3:0 në minutat shtesë të pjesës së parë.
Me të filluar pjesa e dytë erdhi një reagim nga vendasit. Bradley i Liverpoolit shënoi autogol, për rezultatin 3:1.
Por Liverpooli u kundërpërgjigj shumë shpejt për të çuar sërish avantazhin në tre gola, me Diaz që realizoi në minutën e 53-të.
Deri në fund, një gol u anulua, i shënuar nga Salah nga VAR për pozitë jashtë loje, ndërsa Szoboszlai shënoi për rezultatin përfundimtar 5:1.
Ashtu si Roma, edhe Liverpooli do të jetë shumë e qetë në ndeshjen kthyese pas një jave, ku e pret Grazin në Anfield, me rezultatin që nga sot i favorizon për një vend në çerekfinale të Ligës së Evropës.
Në përballjen tjetër të Ligës së Evropës në këtë orar, Bayer Leverkusen ka shpëtuar nga humbja e parë sezonale, duke arritur barazimin 2:2 në çastet e fundit të ndeshjes ndaj Qarabag.