Leverkuseni i Xhakës nuk di të ndalur, dhuron spektakël ndaj Dusseldorf dhe arrin në finale të Kupës së Gjermanisë
Bayer Leverkuseni i Granit Xhakës nuk di të ndalur. Ata tani kanë shkatërruar Fortuna Dusseldorf në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, duke i mposhtur me rezultat 4:0, kështu duke arritur në finale të kësaj gare.
Lideri aktual i Bundesligës, nuk ka pësuar humbje akoma në të gjitha garat në këtë sezon, dhe tani është shumë afër që ta sigurojë titullin e dytë sezonal, pasi që duket se elita gjermane është në duart e tyre, me epërsinë shumë të madhe të pikëve ndaj Bayern Munich.
Leverkusen e nisi shumë mirë gjysmëfinalen, duke shënuar tre gola në pjesën e parë të takimit.
Ishte Jeremie Frimpong që çoi topin në rrjetë vetëm pas shtatë minutave lojë për 1:0.
13 minuta më vonë, saktësisht në minutën e 20-të Amine Adli shënoi për 2:0, me Wirtz që ishte në rolin e asistuesit.
Florian Wirtz shënoi 10 minuta para fundit të pjesës së parë, për rezultatin 3:0, kësaj radhe Adli asistoi, duke kthyer 'borxhin' nga goli paraprak.
Në 45 minutat e dyta vetëm një gol u shënua. Ishte Wirtz që nga penalltia në minutën e 60-të u tregua shumë i saktë, për rezultatin përfundimtar 4:0.
Granit Xhaka në këtë takim luajti për 78 minuta, duke pasur rolin kyç në mesfushë, ashtu si në gjithë sezonin.
Bayer Leverkusen me këtë fitore kualifikohet në finale të Kupës së Gjermanisë, ku për kundërshtarë do ta ketë skuadrën nga liga e dytë gjermane, Kaiserslautern.
Kujtojmë se skuadra e Xabi Alonson është në garë për tripletë, pasi Bundesliga tashmë pothuajse është fituar, ndërsa është kualifikuar edhe në çerekfinale të Ligës së Evropës.