Leo Messi me shkrim emocional për Roger Federerin: Na bëre ta shijojmë tenisin, do të na mungosh
Lionel Messi e ka lartësuar legjendën Roger Federer duke e quajtur gjeni, në një shkrim për nder të pensionimit të tij nga tenisi.
Roger Federer, fituesi i 20 titujve grand slam loja artistike e të cilit e ndryshoi një epokë të tenisit, ka njoftuar pensionimin nga tenisi të enjten.
“Unë jam 41-vjeçar, i kam luajtur më shumë se 1.500 ndeshje tenisi për 24 vjet, dhe tenisi më ka trajtuar mua më ngrohtësisht seç e kam ëndërruar dhe tani më duhet patjetër ta pranoj se ka ardhur koha t’i jap fund karrierës sime”, njoftoi Federer në rrjetet sociale.
Federeri do ta varë reketin në gozhdë pas turneut Laver Cup në fund të këtij muaji në Londër.
Messi, i cili njihet si ndër atletët më të mirë në historinë e sportit përkrah zviceranit, tha se Federer është shembull për t’u ndjekur nga çdo sportist.
“Një gjeni, i veçantë në historinë e tenisit dhe një shembull për çdo atlet”, shkroi Messi në Facebook.
“Të gjitha të mirat në etapën e re. Do të na mungosh në fushë të cilën na bërë ta shijojmë”, shtoi ai.
Messi po kalon një sezon të ri mbresëlënës
Lionel Messi e ka nisur në mënyrë mbresëlënëse sezonin e ri 2022/23, duke i vendosur dy rekorde të reja në Ligën e Kampionëve në mesjavë.
Messi shënoi gol për PSG-në në triumfin 3:1 kundër Maccabit të mërkurën dhe kjo nënkupton se klubi izraelit është i 39-ti kundër të cilit ka shënuar 35-vjeçari në skenën e Ligës së Kampionëve, duke e kaluar Cristiano Ronaldon që ka shënuar kundër 38 skuadrave të ndryshme.
Për më tepër, shtatë herë fituesi i Topit të Artë u bë lojtari i parë që shënon gol në 18 sezone të ndryshme në Ligën e Kampionëve falë golit kundër skuadrës izraelite.
Ai e ka lënë mbrapa Karim Benzeman e Madridit që ka shënuar në 17 sezone të ndryshme, i cili, megjithatë, mund të barazohet me argjentinasin nëse shënon këtë sezon 2022/23.
Për dallim nga sezoni i kaluar debutues te kampioni i Ligue 1, Messi është duke e shijuar një fillim shumë të mirë të sezonit këtë edicion.
Argjentinasi i ka shënuar katër gola dhe i ka dhuruar tetë asiste deri tani këtë sezon në të gjitha garat.

