Messi e kalon Ronaldon, i vendos dy rekorde të reja në Ligën e Kampionëve - NACIONALE

Messi e kalon Ronaldon, i vendos dy rekorde të reja në Ligën e Kampionëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Lionel Messi e ka nisur në mënyrë mbresëlënëse sezonin e ri 2022/23, duke i vendosur dy rekorde të reja në Ligën e Kampionëve.

Superylli argjentinas e rishkroi historinë përsëri në fitoren e Paris Saint-Germainit 3:1 kundër Maccabi Haifas të mërkurën ë garën më prestigjioze evropiane për klube.

Me njërin prej rekordeve ai e kaloi rivalin e vet të përjetshëm Cristiano Ronaldo, ndërsa me tjetrin sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema.

Messi shënoi gol për PSG-në në triumfin e mbrëmshëm kundër Maccabit dhe kjo nënkupton se klubi izraelit është i 39-ti kundër të cilit ka shënuar 35-vjeçari në skenën e Ligës së Kampionëve.

Ronaldo, i cili nuk luan në Ligën e Kampionëve këtë sezon me Manchester Unitedin, ka shënuar kundër 38 ekipeve në këtë garë.

Për më tepër, shtatë herë fituesi i Topit të Artë u bë lojtari i parë që shënon gol në 18 sezone të ndryshme në Ligën e Kampionëve falë golit kundër skuadrës izraelite.

Ai e ka lënë mbrapa Karim Benzeman e Madridit që ka shënuar në 17 sezone të ndryshme, i cili, megjithatë, mund të barazohet me argjentinasin nëse shënon këtë sezon 2022/23.

Për dallim nga sezoni i kaluar debutues te kampioni i Ligue 1, Messi është duke e shijuar një fillim shumë të mirë të sezonit këtë edicion.

Përveç golit të shënuar vet, ai e përgatiti edhe golin e Kylian Mbappes, të cilin e nxori të vetëm përballë portierit me një pasim mjeshtëror në këtë takim. Goli i tretë u shënua nga Neymar.

Argjentinasi i ka shënuar katër gola dhe i ka dhuruar tetë asiste deri tani këtë sezon.

Ai do të shpresojë ta vazhdojë këtë formë të mirë dhe ta bartë në kombëtaren e Argjentinës, me të cilën synon trofeun e shumëkërkuar dhe dëshiruar, Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet në nëntor dhe dhjetor në Katar.

Lajme të ngjashme