“Leo është futbolli” – Trajneri i PSG-së beson se Messi është i patëmeta këtë sezon
Trajneri i Paris Saint-Germainit, Christophe Galtier, ka thënë se nuk i kupton kritikat ndaj Lionel Messit, duke këmbëngulur se argjentinasi është duke shijuar një sezon shumë të mirë.
Paraqitjet e Messit këtë sezon ishin temë diskutimi në konferencën e Galtierit për media të premten, një ditë para ndeshjes me Stasbourgun në Ligue 1.
Përveç ndonjë befasie të madhe, PSG-ja do të shpallet kampion i Francës të shtunën, për herë të 11-të, një shifër e paparë në futbollin francez.
Galtier e mbrojti Messin përsëri nga kritikat, duke thënë se argjentinasi ka bërë një sezon patëmeta sivjet.
“Nuk do të flas për sezonin e kaluar të Messit. Mund të flas se çfarë kemi përjetuar së bashku që nga fillimi i sezonit. Në përkushtimin e tij tërë sezonin ai nuk mund të kritikohet”, tha Galtier.
“Leo është futbolli, e kam parë atë çdo ditë në stërvitje dhe në ndeshje. Statistikat e tij janë shumë interesante. I shoh komentet dhe kritikat, por kur bën një sezon si ai, për mua është performancë madhështore. Mendoj se ai ka një sezon shumë të mirë.”

Messi i ka shënuar 15 gola dhe i ka dhënë 16 asiste në Ligue 1, një kontribut shumë i madh në luftën e klubit për titull.
“Njerëzit presin gjithmonë më shumë nga Messi, por sivjet ai ka luajtur shumë më mirë se sezonin e kaluar”, shtoi Galtier.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë i ka shënuar 20 gola dhe i ka dhënë 20 asiste në 39 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon për klubin parisien.
Messit i mbaron marrëveshja me PSG-në muajin e ardhshëm dhe ai pritet të largohet si lojtar i lirë, pas dy viteve në kryeqytetin francez.
