Legjenda Crespo paralajmëron Milanin: Mos prisni shumë nga Okafor
Ish-sulmuesi i Milanit, Interit e shumë skuadrave të mëdha, Hernan Crespo, ka paralajmëruar tifozët e Milanit që të mos mbajnë shumë shpresa te lojtari që arritën marrëveshje së fundmi, Noah Okafor.
Kuqezinjtë janë në prag të kompletimit të nënshkrimit të tyre të gjashtë të afatit kalimtar të verës, pas Marco Sportiello, Luka Romero, Ruben Loftus-Cheek, Christian Pulisic dhe Tijjani Reijnders.
Okafor ka përfunduar testet mjekësore me Milanin dhe tani është gati të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare, e cila mendohet se vlen rreth 2 milionë euro neto në sezon. Kuqezinjtë do të paguajnë te RB Salzburg rreth 14 milionë euro për nënshkrimin e tij.
Duke folur për Gazzetta dello Sport, Crespo fillimisht paralajmëroi tifozët e Milanit që të mos prisnin shumë gola nga Okafor.

“E njoh mirë, e kam ndjekur në disa ndeshje. Ai është një sulmues që lëviz shumë, i aftë për të vepruar si jashtë, ashtu edhe në qendër. Por, le ta themi tani që tifozët të mos i mbajnë shumë shpresat në të, ai nuk është qendërsulmues klasik dhe nuk ka shumë gola në ADN-në e tij. Ai kurrë nuk ka luajtur në ligën italiane, e cila është më e vështira në botë për sulmuesit dhe kjo vjen nga dikush që e ka përjetuar atë nga ana e parë dhe unë do të isha i lumtur për Milanin nëse ai do të arrinte të shënonte 10 gola”.
Ai tregoi për rrezikun që po ndërmarrin kuqezinjtë, duke transferuar sulmuesin e RB Salzburg.

“Po, por mund të fitosh edhe baste, jo gjithmonë duhet t'i humbësh ato…. Milani nuk ka buxhet për të blerë kampionë, kështu që ata shkojnë për lojtarë që nuk janë shumë të njohur dhe përpiqen t'i përmirësojnë ata.”
Ish-sulmuesi komentoi se si kjo strategji e ndihmoi Milanin drejt titullit kampion në sezonin 2021-22.
“Me këtë politikë, të mos harrojmë, Milani fitoi kampionatin në vitin 2022 dhe arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2023. Kush i njihte Tomorin dhe Kalulun, sa për të përmendur dy, para se të shpërthenin në sezonin e titullit kampion? Në futbollin e sotëm, i cili bazohet gjithnjë e më shumë në kolektiv, nëse nuk keni Mbappe apo Haaland, të cilët Milani nuk mund t’i përballojë, duhet të fokusoheni në organizimin e lojës dhe agresivitetin.”
