Largimi i Dion Berishës, FFK: Ishte vendim i lojtarit - NACIONALE

Largimi i Dion Berishës, FFK: Ishte vendim i lojtarit

2 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Sulmuesi Dion Berisha ka zgjedhur ta lërë Kosovën për Shqipërinë shkaku i karrierës, kështu tha menaxheri i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Muharrem Sahiti për Gazetën Nacionale.

Anësori i skuadrës së dytë të Bayern Munichut u bë vetëm një tjetër lojtar që e le fanellën dardane për t’iu bashkuar “Kuq e Zinjve”, të cilët vazhdimisht këta muajt e fundit kanë “peshkuar” në Kosovë.

Sidoqoftë, FFK thotë se vetë Berisha ka bërë këtë ndryshim dhe askush s’është për t’u fajësuar meqenëse lojtarët po i ndryshojnë fjalët e tyre.

Ka qenë vendim i lojtarit. Ndoshta më mirë do të ishte të bisedoni direkt me të. Nuk ka biseduar me neve për ndryshimin e kombëtares, ka qenë vendim i tij”.

Është pak interesante kjo situatë, kur lojtarët vijnë te Kosova po thonë që “ëndrra jonë u plotësua”, ndërsa tani kur po largohen për ndonjë kombëtare tjetër thonë “ëndrra jonë u plotësua”. Këto largime nuk janë bërë për dashuri ndaj vendit kjo është e sigurt, e tëra për karrierë”.

Lojtarët janë duke vendosur, marrin vendimet për vete pasi e shohin karrierën përpara. Nuk është faji i askujt. Shumë keq që lojtarët nuk po marrin vendime me fillim dhe t’i qëndrojnë prapa. Shembull po do me luajt te Shqipëria, qëndro dhe kurgjo kërkujt. Mirëpo jo këso gjërash, që po e ndryshojnë kombëtaren për të marrë ndonjë ngritje në karrierë”.

Nuk ka faj as trajneri dhe as askush. Selektori nuk mundet me i siguru lojtarit që do të luajë standard, kur vjen te Kosova duhet të luash kur të jepet momenti. Kosova mburret me lojtarët që e duan vendin dhe japin gjithçka në fushë”, tha Sahiti.

Nacionale ka kontaktuar edhe përzgjedhësin e Kosovës U21 Afrim Tovërlani, mirëpo që ky i fundit refuzoi të flet duke thënë shkurtimisht “Nuk kam ndonjë deklaratë”.

Ndërkohë, Berisha ishte pjesë e Kosovës U21 edhe muajin e kaluar por tani e tutje do të përfaqësojë “Kuq e Zinjtë”.

Lajme të ngjashme