Laliga e akuzon Premierligën për mashtrim, ankohet në UEFA
Drejtori i përgjithshëm i Laligës, Javier Gomez, e ka akuzuar Premierligën për mashtrim, pasi klubet e saj e thyen rekordin e shpenzimeve për blerjen e lojtarëve gjatë afatit kalimtar të janarit.
Rekordi britanik i shit-blerjes së lojtarëve u thye në ditën e fundit të afatit kalimtar dimëror, pasi klubet e Premierligës i shpenzuan hiç më pak se 3.1 miliardë euro gjatë sezonit 2022/23.
“Jemi të vetëdijshëm se flitet shumë se si kontrollet e rrepta ekonomike të Laligës ndikojnë që klubet spanjolle të shpenzojnë shumë më pak se ato të Premierligës”, tha Gomez.
Mbizotërimi financiar i Premierligës në Evropë është rritur në nivelin më të lartë në janar, pasi klubet e ligës elitare angleze përbëjnë 79% të totalit të shpenzimeve nga pesë ligat kryesore evropiane.
“E vërteta është se në Laliga ne duam që klubet të shpenzojnë aq sa ua përballon xhepi dhe sa fitojnë vetë, do të thotë nga të hyrat e veta. Është e vërtetë se edhe aksionarët lejohen ta mbështesin klubin dhe të fusin para për të shpenzuar më shumë seç mund të fitojë klubi, por me kufizime të caktuar”.
Chelsea ka shpenzuar më shumë në janar, rreth 325 milionë euro, se të gjitha klubet së bashku në Bundesligë, La Liga, Serie A dhe Ligue 1.
Ai i ka bërë thirrje UEFA-s të bëjë më shumë në këtë aspekt.
“Në Angli, ata e drogojnë klubin. Ata fusin para që nuk fitohen nga klub në mënyrë që klubi t’i shpenzojë ato, e kjo e rrezikon të ardhmen e klubit nëse aksionarët largohen. Ne mendojmë se ky është mashtrim, sepse e dobëson tërë ligën. Ne kërkojmë që UEFA ta zbatojë një rregullore të re ekonomike që ua ndalon aksionarëve të klubit të investojnë më shumë para se sa një sasi e caktuar”, nënvizoi ai.

Më shumë se 311 milionë euro u shpenzuan vetëm në ditën e fundit të afatit kalimtar para se të mbyllej për klubet angleze në mesnatë të martën.
“Rekordi i shpenzimeve nga klubet e Premierligës këtë sezon është diçka që nuk e kemi parë asnjëherë deri më sot”, ka thënë Tim Bdrige nga Deloitte.
Chelsea i harxhoi 121 milionë euro për ta blerë mesfushorin argjentinas Enzo Fernandez nga Benfica, që e çon në 921 milionë euro shumën e përgjithshëm që klubet e Premierligës e shpenzuan vetëm në janar.
Blerja e Fernandezit nga Chelsea ishte temë kryesore në ballinat e sportit në ditën e fundit të afatit kalimtar, pasi të kaltrit e Londrës e thyen rekordin britanik, që mbante Manchester City me blerjen e Jack Grealishit nga Aston Villa për 113 milionë euro në vitin 2021.
Chelsea i ka blerë plot tetë futbollistë gjatë këtij afati kalimtar.
