Lajme të mira nga Pogba, mund të luajë në Kupë të Botës
Mesfushori i Juventusit, Paul Pogba, është duke u rikuperuar mirë nga operacioni që pati në menisk dhe me shumë gjasë do të jetë gati për Kampionatin Botëror që fillon pas një muaji në Katar.
Ky lajm i mirë për kombëtaren franceze vjen nga e përditshmja L’Equipe, e cila thotë se ylli francez me shumë gjasë do të jetë i grumbulluar për Kupë të Botës.

Pogba nuk ka bërë ende debutimin e tij zyrtar për Juventusin që kur u kthye si lojtar i lirë nga Manchester United gjatë afati kalimtar veror, pasi pësoi një çarje të meniskut në korrik, në fazën përgatitore me skuadrën.
Ai zgjodhi trajtimin konservativ për të shmangur një operacion, duke shpresuar që të mos rrezikohej për turneun në Katar, por kjo nuk arriti të sillte përmirësimet e nevojshme.
Pra, Pogba u vu nën thikë dhe L'Equipe pretendon se tani po rikuperohet aq mirë sa do të jetë në dispozicion të trajnerit të gjelave, Didier Deschamps në Kupën e Botës 2022.
Rikthimi i tij pritet maksimumi pas një muaji, gjë që do t'i japë atij pak kohë të çmuar për të luajtur për Juventusin, por ai do të jetë gati për turneun kur ai të nisë më 20 nëntor.
Paul Pogba dans les temps pour participer à la Coupe du monde avec les Bleus https://t.co/VhGJwUWfBx pic.twitter.com/DeCdFIC9F5
— L'ÉQUIPE (@lequipe) October 15, 2022
Megjithatë, lajmi tjetër i keq për francezët është, se siç duket se mesfushori i Chelseat, N'Golo Kante, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë për Francën.
Paul Pogba ishte një nga lojtarët kryesor të Francës në triumfin në Kampionatin Botëror 2018 në Rusi, ku ata triumfuan në finale kundër Kroacisë.

Deri më tani ai për kombëtaren franceze ka bërë 91 paraqitje dhe gjendet në mesin e 15 lojtarëve me më së shumti paraqitje në histori të kësaj kombëtareje. Gjatë këtyre ndeshjeve ai ka gjetur rrugën deri te goli në 11 raste dhe ka asistuar nëntë herë tjera.
Kampionati Botëror në Katar fillon më 20 nëntor dhe luhet deri më 18 dhjetor kur është finalja e madhe.

Franca gjendet në grupin D së bashku me Danimarkën, Tunizinë dhe Australinë, me këta të fundit do ta ketë ndeshjen hapëse të sajën në këtë grup më 22 nëntor.

