Kushtrim Shabani bën heroin, Llapi nis sezonin me fitore pasi mposhti Drenicën
Llapi ka shënuar fitore në sfidën hapëse të Superligës së Kosovës, duke mposhtur Drenicën.
Pavarësisht ndeshjes së baraspeshuar në shumicën e kohës, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina fitoi me rezultat minimal 0:1 në udhëtim te "Kuq e Zinjtë".
Drenica mund të thuhet se e nisi më mirë lojën, duke rrezikuar dy herë përmes Vojvodës, goditjet e të cilit përfunduan jashtë rrjetës.
Vendasit zhvilluan disa aksione të bukura në kërkim të golit të epërsisë, por assesi nuk i konkretizuan. Kur ishte një posedim i lehtë i Drenicës, Llapi në mënyrën më të bukur arriti të hap serinë e golave.
Përmes një aksioni të shpejtë, ishte Kushtrim Shabani që hapi serinë e golave pas 35 minutave lojë.
Kështu, duke mos pasur ndonjë rast më konkret me lojën që zhvillohej në mesfushë, epilogu mbeti 0:1.
Edhe në pjesën e dytë, Drenica e nisi më mirë duke rrezikuar përmes Mëziut dhe Veliqit, por goditjet e të dyve përfunduan jashtë portës.
Llapi më shumë u mbrojt në këtë pjesë duke provuar të ruajë rezultatin dhe të përfitonte nga ndonjë kundërzbritje që të dyfishojë epërsinë, por përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.
Pavarësisht rasteve të dy skuadrave në këta 45 minuta nuk kishte ndonjë gol, kësisoj Llapi mori fitoren e parë në sfidën hapëse të kampionatit kosovar.
Ditën e diele në fakt ishte paraparë që të zhvillohet edhe sfida tjetër mes Malishevës dhe Ballkanit, por që u shty për një datë të pacaktuar pasi “Xhebrailat” të enjten e kaluar luajtën në Ligën e Konferencës (mposhten Kl-Klaksvik duke avancuar në raundin e play-off).
Me këtë fitore dhe portën e paprekur, Llapi avancon direkt në pozitën e tretë në tabelë me tre pikë, aq sa kanë Gjilani, respektivisht Prishtina. Ndërsa, Drenica bie direkt në fundin e tabelës pa pikë.
Kujtojmë, se rezultatet e xhiros së parë të Superligës së Kosovës ishin këto:
Drenica 0:1 Llapi
Gjilani 3:2 Ferizaj
Prishtina 2:1 Dukagjini
Trepça '89 2:2 Drita.
Në xhiron e radhës, Llapi do ta mirëpres skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Idrizi në "Zahir Pajaziti", derisa Drenica do të udhëtojë në Suhareka për t'u përballur me Ballkanin.
