Konfirmohet nga dy klubet: Ndeshja Malisheva - Ballkani me gjasë nuk do të zhvillohet në vikend
Klubi futbollistik Ballkani ka bërë kërkesë në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) që të mos zhvillojnë ndeshjen hapëse ndaj Malishevës në vikend.
Kampioni i Kosovës ishte paraparë ta nis edicionin 2022/23 si mysafir i Malishevës, por një sfidë e tillë më shumë gjasë nuk do të zhvillohet, se paku jo në vikendin e ardhshëm.
Në një prononcim për Gazetën Nacionale, zëdhënësi për media i Ballkanit, Jetullah Kuqi ka konfirmuar se kanë bërë kërkesë që të shtyhet ndeshja shkaku që të enjten luajnë sfidën kthyese ndaj Kl-Klaksvik.
“Po, ne gjatë ditës së sotme kemi bërë kërkesë te Federata e Futbollit të Kosovës që të shtyhet ndeshja ndaj Malishevës, shkaku që këtë të enjte do të luajmë në Evropë”, tha shkurtimisht ai.
Kështu, meqenëse nuk është hera e parë që një sfidë shtyhet shkaku që njëra nga ato skuadra kundërshtare luajnë në Evropë, pritet që nesër FFK ta konfirmojë vendimin dhe ta bëjë të ditur për tërë publikun.
Malisheva gjithashtu “pro” shtyrjes së takimit, thotë se duan ta ndihmojnë Ballkanin
Edhe te skuadra e Malishevës kanë konfirmuar se janë të hapur që sfida e parë të mos zhvillohet këtë vikend, ashtu siç u parapa në hedhjen e shortit.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, drejtori i klubit së drejtuar nga Arsim Thaqi, Kastriot Kafexholli ka konfirmuar se e dinë lajmin që Ballkani ka bërë kërkesë dhe pret që FFK ta konfirmojë nesër.
“Po, Ballkani ka bërë kërkesë te Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) që të shtyhet ndeshja ndaj neve (Malishevës), shkaku që luajnë në Evropë. FFK besoj që nesër del me komunikatë zyrtare që e konfirmon vendimin”.
I pyetur se nëse janë të hapur si klub, Kafexholli nënvizoi se duan ta ndihmojnë Ballkanin, ashtu si çdo klub tjetër kosovar që luan në Evropë.
“Sigurisht ne jemi të hapur t’i ndihmojmë të gjitha klubet kosovare shkaku që janë duke na përfaqësuar gjithmonë me dinjitet në Evropë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Malisheva vazhdon me përgatitjet për sezonin e ardhshëm 2022/23, me trajnerin Arsim Thaqi që deklaroi se nuk do të ketë transferime tjera, pasi janë kompletuar si skuadër.
