Kupa e Botës: Danimarka luan fanella të zeza në shenjë proteste ndaj Katarit për shkeljen e të drejtave të njeriut - NACIONALE

Kupa e Botës: Danimarka luan fanella të zeza në shenjë proteste ndaj Katarit për shkeljen e të drejtave të njeriut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Danimarka do të veshë fanella krejtësisht të mbyllëta në Kupën e Botës për të protestuar kundër nikoqirit Katar, i cili akuzohet për shkeljen e të drejtave të njeriut – dhe për nder të punëtorëve emigrantë të cilët vdiqën gjatë punimeve të turneut.

“Ngjyra e zisë”, ka thënë prodhuesi i kësaj fanelle Hummel në një postim në Instagram, ku e publikoi fanellën e tretë të Danimarkës për Botëror.

“Derisa ne e përkrahim ekipin kombëtar danez deri në fund, kjo nuk duhet të merret si përkrahje edhe për një turne i cili iu ka kushtuar me jetë mijëra njerëzve”.

Ky dizajn e përmbush premtimin e bërë nga Federata e Futbollit e Danimarkës nëntorin e kaluar për të veshur fanella me mesazh kritik në Kupën e Botës në Katar.

Megjithëse rregullat e FIFA-s në Kupën e Botës ndalojnë mesazhet politike në veshjet e ekipeve kombëtare, tri dizajnët e fanellave të Danimarkës, plotësisht e kuqe, plotësisht e bardhë dhe plotësisht e zezë nuk përmbajnë fjalë apo simbole të cilat i thyejnë rregullat.

Logoja e ekipit kombëtar, logoja e Hummelit dhe vijat e bardha dekorative janë venitur në të njëjtën ngjyrë si fanella.

“Ne nuk duam të jemi të dukshëm gjatë turneut. Ne e përkrahim Danimarkën deri në fund, por jo edhe Katarin si nikoqir i turneut”, tha Hummel.

Katari, një shtet i pasuruar me gaz, është kritikuar ashpër në dekadën e fundit për trajtimin që ua bën punëtorëve emigrantë, shumica nga Azia jugore, të cilët kanë punuar në ndërtimin e stadiumeve të vlefshëm dhjetëra miliardë dollarësh, linja metrosh, rrugë dhe hotele.

Ka qenë e vështirë të verifikohet numri i saktë i punëtorëve të vdekur dhe lënduar, për shkak të të dhënave të kufizuara që autoritetet e Katarit i kanë publikuar.

Lajme të ngjashme