Kualifikimi në finale – presidenti i Llapit zbulon preminë e futbollistëve - NACIONALE

Kualifikimi në finale – presidenti i Llapit zbulon preminë e futbollistëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Secili futbollistë i Llapit ka fituar 500 euro pasi arritën ta përmbysin Prishtinën, për t’u kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës, kështu ka deklaruar presidenti i klubit nga Podujeva, Beqir Batatina për Gazetën Nacionale.

Pavarësisht që humbën me rezultat 2:1 në “Fadil Vokrri”, lojtarët e drejtuar nga Tahir Batatina triumfuan në “Zahir Pajaziti” me rezultat komod 2:0, për të siguruar ‘biletën’ për në finalen e Kupës së Kosovës.

Një gol me kokë i De Silvas i vendosi në avantazh vendasit pas 58 minutave lojë, derisa Rivera pastaj vulosi fitoren në minutën e 78-të pas një aksioni të shpejtë.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar presidentin e Llapit, Beqir Batatina që deklaroi se secili lojtarë ka fituar 500 euro si premi.

“500 euro për secilin lojtarë ka qenë premia nëse kualifikohen në finale”, u shpreh shkurtimisht Batatina.

I lumtur me këtë kualifikim përpos presidentit të klubit, është shprehur edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili pas ndeshjes edhe krahasojë klubin nga kryeqyteti me ‘supën e pulës’.

“Llapi është ardh me meritë në finale, nuk është ardh si turist. Kemi qenë të kujdesshëm të vëmendshëm. Prishtina për mua ka qenë supë e pulës, supë e lehtë. Mendoj që është një kalim në finale me plotë meritë. Këta tifozë e meritojnë një Llap të tillë”, deklaroi trajneri i kampionit në fuqi të Kupës së Kosovës.

Për Llapin finalja e Kupës së Kosovës do të jetë ‘bileta’ e vetme për kalimin në Evropë, duke marrë parasysh se janë jashtë garës për të top tre në Superligën e Kosovës, me Dritën, Gjilanin dhe Ballkanin që tashmë duket se kanë ‘siguruar Evropën’.

Llapi në finale do të takohet me nënkampionin e Kosovës, Dritën, që sot në gjysmëfinale eliminuan Ramiz Sadikun me rezultat të përgjithshëm 5-2.

Ndeshja e parë e zhvilluar në Gjilan përfundojë me rezultat 3:0, derisa në ndeshjen e sotme, Ramiz Sadiku bëri befasinë duke shënuar dy herë, por që “Intelektualët” u këndellen në fund duke barazuar rezultatin në 2:2.

Lajme të ngjashme