Kryeministri Kurti reagon ndaj koreografisë së Cërvena Zvezdës, thotë se thirrje të tilla janë pasuar me luftëra në vitet e mëhershme - NACIONALE

Kryeministri Kurti reagon ndaj koreografisë së Cërvena Zvezdës, thotë se thirrje të tilla janë pasuar me luftëra në vitet e mëhershme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj koreografisë nacionaliste të shpalosur nga skuadra serbe Cërvena Zvezda në një ndeshje miqësore ndaj skuadrës italiane, Fiorentina.

Tifozët e skuadrës serbe në koreografinë e tyre kishin shkruar: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” e shoqëruar me një tank që kishte flamurin serb.

Kurti në postimin e tij në rrjetin social Twitter, këtë koreografi e quajti si thirrje për dhunë, që ishte përdorur edhe më parë nga tifozët serbë, ku tha se ngjarje të tilla në vitet e hershme ishin shkëndija për luftërat që pasuan më pas.

“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga ICTY, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera,” tha kryeministri në Twitter.

Ndaj këtij rasti që ndodhi dje, ka reaguar edhe FFK, që ka njoftuar se ka dërguar ankesë në UEFA, duke kërkuar nga shtëpia e futbollit evropian që rasti të trajtohet sa më shpejtë të jetë e mundur.

Lajme të ngjashme