Koulibaly: Chelsea do ta fitojë Premierligën këtë sezon
Kalidou Koulibaly ka pretenduar guximshëm se Chelsea do ta fitojë titullin në Premierligë këtë sezon, duke i lënë mbrapa Arsenalin dhe kampionin në fuqi Manchester City.
Përfaqësuesi i Senegalit iu bashkua Chelseat nga Napoli gjatë afatit kalimtar të verës dhe derisa ish-klubi i tij është lider i padiskutueshëm për titull në Serie A, të kaltrit nuk e kanë nisur edhe aq mirë sezonin në Premierligë.
Qendërmbrojtësi 31-vjeçar shpreson se Chelsea do ta arrijë kreun e Premierligës dhe ai të shkruajë historinë me klubin nga Londra perëndimore qysh në sezonin e parë në klub.
I pyetur nga Corriere della Sera për garën për titull në Premierligë, Koulibaly: “Do të jetë Chelsea në fund të sezonit, dua të shkruaj historinë këtu”.
Koulibaly mendon se sistemi i ri i lojës në Chelsea i ka ndihmuar atij për t’i rritur cilësitë e tij si mbrojtës.
“Mbërrita me një trajner i cili më donte më çdo kusht, dhe pastaj ai u largua. Të dy (Thomas) Tuchel dhe (Graham) Potter luajnë me tre mbrojtës mbrapa, unë isha i mësuar më katër mbrojtës në Napoli. Është një cilësi e re në lojën time, njeriu mëson gjithmonë.”

Ai shtoi: “E dija se do ta kisha të vështirë këtu, dhe kjo doli të ishte e vërtetë. Madje Gianfranco Zola dhe Didier Drogba e kishin parashikuar këtë për mua”.
Koulibaly i ka bërë 11 paraqitje për Chelsean deri tani këtë sezon, duke e shënuar një gol dhe duke u ndëshkuar me një karton të kuq gjatë këtyre ndeshjeve.
Pas 12 javëve, Chelsea renditet i gjashtë me 21 pikë, plot 10 pikë larg liderit dhe rivalit Arsenal, dhe tetë pikë larg kampionit në fuqi Manchester City.
Chelsea e pret Arsenalin në ndeshjen e radhës në Premierligë të dielën më 6 nëntor në Stamford Bridge, ku Koulibaly me shokë duhet të tregojnë nëse vërtet mund të jenë në garë për titull.
