Kosova ruan vendin në renditjen më të re të FIFA-s, Brazili vijon të prijë
Kosova e ka ruajtur vendin e 106-të në renditjen më të re të FIFA-s, të cilës vijon t’i prijë gjiganti Brazil.
Shtëpia e futbollit botëror e përditësoi renditjen e ekipeve kombëtare të enjten, tre muaj para zhvillimit të Kupës së Botës Katar 2022 në nëntor.
Kombëtarja e Kosovës nuk e zhvilloi asnjë ndeshje që prej renditjes së kaluar në qershor, prandaj nuk ka fituar apo humbur pikë, duke ruajtur pozitën e 106-të.
Verdhekaltrit kanë 1183.9 pikë dhe renditen pas Kombëtareve si India dhe Madagaskari.

Edhe Shqipëria e ka ruajtur pozitën e 66-të, pasi as ajo nuk zhvilloi ndonjë ndeshje në tre muajt e fundit.
Renditjes vijon t’i prijë Brazili, i ndjekur nga Belgjika dhe Argjentina që mbyllin top treshen.
Pas tyre vijnë Franca, Anglia, Spanja, Italia, Holanda, Portugalia dhe Danimarka në top dhjetëshe.

Kosova do t'i zhvillojë edhe dy ndeshje garuese deri në përfundim të këtij viti, kundër Irlandës së Veriut në udhëtim dhe ndaj Qipros në shtëpi për ta mbyllur një tjetër edicion të dështuar në Ligën e Kombeve.
Dardanët i kanë humbur tashmë shpresat për ta fituar Grupin në Ligën C, pasi kanë ngelur gjashtë pikë mbrapa liderit të grupit Greqisë dy ndeshje deri në përfundim të garës.
Pas përfundimit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve muajin e ardhshëm, Kosova do ta presë shortin për kualifikime për Kampionatin Evropian 2024 më 9 tetor, për t'i mësuar kundërshtarët në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në një garë të madhe për herë të parë në historinë e vet.