Kosova përfundoi edhe seancën e dytë stërvitore brenda ditës, Rrahmani stërvitet i vetëm
Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar ushtrimet e radhës gjatë pasditës së vonë. Amir Rrahmani ka vazhduar të stërvitet i vetëm. Pjesa tjetër nuk ka paraqitur ndonjë problem shtesë fizik.
Po vazhdojnë përgatitjet e “dardanëve” për dy ndeshjet e radhës kundër Irlandës Veriore dhe Qipros. Grupi tashmë është i plotë, pasi nga sot edhe Rrahmani dhe Arijanet Muric po stërviten, me dallimin e vetëm që i pari po stërvitet i vetëm, si pasojë e një dhimbje që ka ndier në përfundim të ndeshjes kundër Milanit.
Ashtu siç raportoi Gazeta Nacionale para disa orësh sipas burimeve të veta, del se stafi teknik i Kosovës është jo i sigurt nëse Rrahmani do t’ia dalë të jetë gati për ndeshjen ndaj Irlandës Veriore.
Për pjesën tjetër nuk ka ndonjë veçori të madhe. Stërvitja e mëngjesit u zhvillua në kampin stërvitor të Hajvalisë, ndërsa ajo në orët e vona të pasditës u zhvendos në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në çfarë konsistoi stërvitja e fundit?
Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi zyrtar të lëshuar gjatë mbrëmjes, dha disa detaje rreth asaj se në çfarë elementesh u koncentrua stërvitja e fundit.
“Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur edhe seancën e dytë stërvitore brenda ditës së sotme. Pas seancës së paradites në Hajvali, Dardanët në orët e pasdites kanë stërvitur në stadiumin “Fadil Vokrri”, e ku përzgjedhësi Alain Giresse ka punuar më shumë në aspektin taktik, duke shpjeguar në praktikë filozofinë e lojës të cilën synon ta ndërtojë për ndeshjen kundër Irlandës së Veriut. Edhe kjo seancë stërvitore ka kaluar me atmosferë të mirë, punë intensive dhe përkushtim të madh të lojtarëve në fushën e gjelbër”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kujtojmë se Kosova po stërvitet me 23 lojtarë gjithsejt, pasi disa nga ata që ishin të ftuar në list, si Leart Paqarada, Mërgim Vojvoda dhe Shkëlqim Vladi – gjatë fundjavës pësuan lëndime muskolare, të cilat ua pamundësuan që t’i bashkoheshin pjesës tjetër të grupit.
Përkundër këtyre mungesave, deri më tani Giresse nuk ka vendosur që të ftojë ndokënd tjetër për t’i zëvendësuar lojtarët e sipërpërmendur që mungojnë në këtë grumbullim.
Edhe pse, ishte vetë përzgjedhësi i Kosovës ai që gjatë konferencës për shtyp gjatë ditës së djeshme nuk e mohoi se do të ketë ndonjë lojtar që do të vijë për t’i përforcuar radhët e ekipit kombëtar gjatë këtyre ditëve.
Emri më i përfolur dhe më i lakuar nga opinioni publik është ai i mbrojtësit të Balkanit, Armend Thaqit. Ai po kalon në një formë të shkëlqyer, por as kjo nuk i mjaftoi që të merrte një ftesë zyrtare nga Kombëtarja e Kosovës.

