Kosova e la jashtë listës, Leart Paqarada i përgjigjet në distancë me një tjetër paraqitje si protagonist
Leart Paqarada sot nuk figuroi pjesë përbërëse e listës së Kosovës që u publikua nga Alain Giresse. Sidoqoftë, ai ka vazhduar të bëjë paraqitje të mira, duke bërë një tjetër paraqitje të mirë, drejt plasmanit në Bundesliga me ekipin e tij, St. Pauli.
Ishte prilli i vitit 2021 kur mbrojtësi me prejardhje nga Besiana, Leart Paqarada, vendosi që të koncentrohej te rendimenti në klubin e tij, duke bërë publik lajmin se për sa kohë të ishte përzgjedhës Bernard Challandes, ai nuk do t'i rikthehej më kombëtares dardane. Megjithatë, edhe pse trajneri helvet u pushua nga detyra në tetor, mbrojtësi i St. Pauli vazhdoi të mos përfshihet në listën e Kosovës, qoftë në grumbullimin me Primoz Gliha gjatë nëntorit, qoftë në këtë të fundit të muajit mars me përzgjedhësin e ri, Alain Giresse.
Sido që të jetë, ai po vazhdon të paraqitet në Bundesliga II, për një qëllim madhor, atë të sigurimit të plasmanit që shpie skuadrën nga veriu i Gjermanisë në Bundesligë.
Sot, luajti plot 90 minuta në ndeshjen ku St. Pauli u përballë ndaj Heidenheim, me ç'rast arriti të jetë protagonist sërish, me asistin që dhuroi, e i cili mundësoi fitoren e ekipit të tij, duke e blinduar vendin e parë në renditjen tabelare,
Gjatë fillimit të takimit ishte më i pavërejtur në fushë, si pasojë e një loje ku mbizotroi temperamenti në minutat e para, para qartësisë së lojë. Në pjesën e parë ishte i kufizuar në lëvizje. Mbase, në një orëshin e parë të lojës ishte i lexueshëm si ai, ashtu edhe skuadra, pasi hasnin në vështirësi të depërtonin në gjysmëfushën kundërshtare.
Mirëpo, në gjysmë orëshin e fundit filloi të këndellet si ai, si ekipi i tij. Sidomos në minutën e 65-të, Leart Paqarada mori veten më shumë, kur provoi të godiste nga jashtë zona, por mbrojtja e ekipit jugperëndimor gjerman u tregua e kujdesshme t'i neutralizonte sulmet e nikoqirëve. Një minutë më vonë, Leart Paqarada u lirua prapë nga këndi i majtë i fushës, ku mori topin në pronësi dhe me një gjysmë fintë krijoi hapësirë në mesin e dy kundërshtarëve për të krosuar, por sërish mbrojtja kundërshtare largoi topin nga zona e saj.
Këto ishin sinjalet e para për atë që do të pasonte pak minuta më vonë. Ishte minuta e 67-të kur Leart Paqarada sërish pranoi një pasim. Ai e shoqëroi topin deri afër vijës së rivënies anësore sa për të marrë kohë, por pas pak çastesh, në mënyrë instiktive, me ta ngritur kokën, pa një bashkëlojtar të pambuluar në zonë dhe ishte refleksiv në harkimin e mrekullueshëm që bëri për Daniel-Kofi Kyereh, i cili i gjendur brenda zonës së rreptësisë i vetmuar, pa problem goditi dhe dërgoi topin në rrjetë për t'i dhënë epërsinë skuadrës nga lagjia e Hamburgut.

Pra, mbrojtësi kosovar për plot dy minuta ishte sekond pas sekondi i pranishëm në sulmet e vendasve, gjersa u bë pjesë e aksionit të shënimit, me anë të kontributit përmes asistit që dha.
Kur jemi te asistimet, ky i sotmi ishte i 9-ti në kampionat, duke e barazuar bashkëlojtarin e tij dhe golashënuesin e sotëm, Daniel-Kofi Kyereh, për t'u bërë asistuesi i dytë më i mirë në Bundesliga II, çka tregon për formën e tij optimale në të cilën po kalon. Ndër të tjera ai është paraqitur në të gjitha ndeshjet e St. Pauli si titullar këtë sezon.
— FCSP Analytics (@FCSPanalytics) March 18, 2022
Me fitoren e sotme atë e ndajnë 18 pikë larg kalimit në Bundesliga.

Në këtë ligë (Bundesliga) në të kaluarën nga lojtarët e kombëtares së Kosovës kanë luajtur për pak muaj Valmir Sulejmani, Florent Muslija dhe Florent Hadërgjonaj.
Tani është në diskrecion të përzgjedhësit, Alain Giresse, dhe FFK-së, të shohin se si do të vazhdojnë ta menaxhojnë këtë situatë. Mungesa e tij te Kosova bën që ne të jemi pa asnjë mbrojtës të majtë natyral, por duke improvizuar lojtarë për ta mbuluar atë rol në atë pjesë të fushës.