Kosova mbyll pjesën e parë me epërsi ndaj Sllovenisë - NACIONALE

Kosova mbyll pjesën e parë me epërsi ndaj Sllovenisë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas 45 minutave të para, Kosova shkon në pushim me epërsinë 0–1 ndaj Sllovenisë falë golit të hershëm të Fisnik Asllanit në minutën e 6-të, pas një pasimi perfekt nga Mërgim Vojvoda.

Ndeshja nisi me intensitet të lartë, me Kosovën që mori në dorë kontrollin e topit në minutat e para dhe gjeti golin pas një aksioni të shpejtë dhe të pastër. Asllani u gjend sërish në qendër të vëmendjes rreth minutës së 20-të kur u shtri në fushë pas një goditjeje, por pas trajtimit mjekësor ai u rikthye në lojë.

Pjesa e parë u karakterizua nga shumë duele të ashpra. Gjyqtari Clement Turpin ndërhyri shpesh, duke ndalur lojën pas faulleve të rënda nga të dyja skuadrat. Dellova, Muslija dhe Muriqi u ndëshkuan me faulle të panevojshme në tentativë për të fituar topin, ndërsa nga ana tjetër Drkusic, Horvat dhe Karnicnik u shfaqën agresivë në ndërhyrjet e tyre.

Sllovenia pati dy raste serioze. Në minutën e 12-të, Vipotnik rrezikoi me një goditje me kokë pranë shtyllës, ndërsa në minutën e 30-të, Horvat testoi portën me një goditje të rrezikshme, por Amir Saipi reagoi në kohë duke e devijuar në rivënie nga këndi.

Kosova nga ana tjetër pati një mundësi të mirë në minutën e 26-të, kur Muslija u gjet në zonë, por gjuajtja e tij u ndal nga mbrojtja vendase.

Lajme të ngjashme