Kosova i konfirmon dy miqësoret e nëntorit
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy miqësore në muajin nëntor.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), përmes një komunikate për media njoftoi se "Dardanët" në nëntor do të presin Armeninë, e pastaj edhe Ishujt Faroe.
Ditën e mërkurë, Gazeta Nacionale raportoi për marrëveshjen e arritur për miqësoren me Armeninë, derisa tani është konfirmuar edhe nga vetë FFK-ja.
"Kombëtarja e Kosovës do t’i luajë dy ndeshje miqësore në muajin nëntor, e të cilat do t’i shërbejnë përzgjedhësit Alain Giresse për ta përgatitur ekipin për ciklin e ri kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, që nis në muajin mars të vitit të ardhshëm. Miqësoren e parë Dardanët do ta luajnë kundër Armenisë, më 16 nëntor, derisa më pas do të përballen me Ishujt Faroe, më 19 nëntor, kundërshtar me të cilin janë ballafaquar edhe më parë. Të dyja këto ndeshje do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë", shkruhet në komunikatën e FFK-së.
Kosova i "njeh" Ishujt Faroe, mirëpo jo Armeninë
Kombëtarja e Kosovës nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje ndaj Armenisë në kategorinë e meshkujve në histori.
"Dardanët" do të takohen për herë të parë me kombëtaren e Armenisë që ka pozitë më të mirë në renditjen e FIFA-s, pra kanë vendin e 93-të.
Në fakt, Kosova është përballur me Armeninë vetëm përmes grave ku i ka mposhtur në dy sfidat, si mysafir 0:1 dhe si vendas 2:1.
Në anën tjetër, "Dardanët" ishin përballur me Ishujt Faroe në vitin 2019, në kuadër të kualifikimeve për Ligën D të Ligës së Kombeve, ku patën fituar me rezultat 2:0 në "Fadil Vokrri", falë golave të Arbër Zenelit dhe Atdhe Nuhiut.
Për fund kujtojmë se këto miqësore do të jenë vetëm parapërgatitëse për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2024, ku gjendemi në një grup jo aq të lehtë me Zvicrën, Rumaninë, Izrealin, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian do të fillojnë në mars, ku e nisim si mysafir i Izrealit.
