Kosova ende ka gjasa për Evropian, kjo ‘matematikë’ e dërgon në play-off
Shpresa që Kombëtarja e Kosovës të kualifikohet në Kampionat Evropian “Euro 2024” ende nuk ka marrë fund, pasi ekziston një mundësi që “Dardanët” të kualifikohen në play-off.
Gjasat për të avancuar direkt në fazën e grupeve të “Euro 2024” janë tejet të ulëta, pasi në rast që Rumania e mposht sonte Andorrën atëherë Kosova s’ka shanse ta sigurojë pozitën e dytë.
Sidoqoftë, Kosova ende mbetet në garë për të hyrë në play-off pasi tre ‘biletat’ e fundit për në Evropian sigurohen përmes Ligës së Kombeve në grupet A, B dhe C.
Pra, Kosova u rendit në grupin C ku e përfundoi si pozitë e dytë, me Greqinë që avancoi tutje duke u kualifikuar direkt si lider në play-off.
Sidoqoftë, në rast që ekipi që shkoi si lider e siguron kualifikimin përmes ciklit kualifikues atëherë do të zëvendësohet nga skuadrat e renditura më poshtë.
Thënë më thjeshtë, Kosova renditet e shtata në grupin C prapa Gjeorgjisë, Greqisë, Turqisë, Kazakistanit, Luksemburgut dhe Azerbejxhanit.

Turqia mund të thuhet se e ka siguruar kualifikimin përmes këtyre kualifikuesve, kësisoj që Kosova të merr pjesë në play-offin e Ligës së Kombeve duhen edhe dy kombëtare nga kjo listë të avancojnë direkt.
Greqia dhe Luksemburgu janë kombëtaret që kanë gjasat më reale për të avancuar tutje, dhe i dhënë Kosovës një tjetër rast për ta realizuar ëndrrën.
Grekët të hënën përballen me rivalin direkt për pozitën e dytë, pra Holandën dhe në rast të një fitore atëherë mund të thuhet se e siguruan kualifikimin.
Ndërkohë, në të njëjtën situatë ndodhet edhe Luksemburgu që e pret Sllovakinë, kurse s’bën pastaj të gabojë ndaj Bosnja Hercegovinës, respektivisht Lihtenshtajnit në dy ndeshjet e muajit nëntor.
Nëse këto ‘matematika’ rezultojnë të suksesshme, atëherë Kosova do ta kishte shansin e njëjtë si në Kampionatin Evropian të kaluar ku gabuan duke u mposhtur nga Maqedonia e Veriut, në kuadër të gjysmëfinales së play-offit të Ligës së Kombeve.