Kosova e përfundon stërvitjen në Bukuresht, Foda e Rexhbeçaj: Luajmë për fitore
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e saj në stadiumin Arena National në Bukuresht, ku nesër do të përballet me Rumaninë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Atmosfera ishte e mirë në grup dhe të gjithë lojtarët janë të përqendruar dhe të motivuar për të dalë me fitore nga kjo përballje e vështirë.

Para stërvitjes, trajneri Franco Foda dhe ylli i mesfushës, Elvis Rexhbeçaj dolën në konferencë për media, ku shprehen besimin e plotë se do ta fitojnë këtë ndeshje.
Pavarësisht se ndeshjen e parë në Prishtinë Rumania e fitoi me rezultat 3:0, Foda beson se Kosova është e gatshme të luftojë për fitore dhe të tregojë rritjen që ka arritur kohët e fundit.
“Puna ime është ta përgatis ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë e kemi bërë gjatë ditëve të fundit. Pres që nesër të ketë respekt në fushë dhe të tregojmë lojën më të mirë të mundshme”, theksoi Foda.
Ai tutje tha se ashtu sikurse secila skuadër, edhe Rumania ka pikat e saj të dobëta, por ka edhe pika shumë të forta. Foda tha se do të ketë ndryshime nga ndeshja e parë në shtator, qoftë taktike apo edhe në qasje të lojës, kjo edhe për shkak të mungesave.

“Përkundër faktit që kemi pësuar humbje 3:0 në Prishtinë, besoj se me paraqitjen që kemi treguar kemi qenë të përafërt me kundërshtarin, por kemi pësuar gola të lehtë dhe kjo ka ndikuar në atë rezultat. Sa i përket paraqitjes nuk them se kemi pasur shumë dallim nga kundërshtari. Pastaj, i kemi fituar nëntë pikë ndaj Qipros dhe Lituanisë dhe kjo ka rritur besimin e ekipit. Kemi treguar se kemi bërë një hap përpara. Kemi shumë mungesa të rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Besoj se ekipi është më lart se sa ka qenë në shtator dhe besoj e është i gatshëm ta tregojë gjithë potencialin në kërkim të fitores. Është e qartë se ne jemi këtu për të tentuar fitoren. Duhet të jemi agresiv, ta fitojmë topin sa më shpejt. Do të kemi 90 minuta kohë për ta fituar ndeshjen. Gjithçka është në duart tona. Nëse duam vendin e parë, duhet ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Foda.
Duke komentuar një deklaratë të homologut të tij te Rumania për Edon Zhegrovën, Foda vlerësoi formën e lojtarit, i cili po tregon cilësi të shkëlqyeshme me skuadrën e tij te Lille, por theksoi se për të pasur sukses kundër Rumanisë, Kosova duhet të veprojë si një skuadër e bashkuar në mbrojtje dhe në sulm.
Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, theksoi rëndësinë e kontrollimit të lojës në mesfushë dhe angazhimin e të gjithë ekipit për të fituar. “Stërvitjet kanë shkuar shumë mirë këtë javë. Besoj se jemi gati, e dimë se çfarë atmosfere na pret, por ne jemi futbollistë profesionistë të gjithë, jemi të përgatitur 100 përqind për ndeshjen kundër Rumanisë. Na duhet që ta kontrollojmë lojën në mesfushë, por duhet të gjithë të luftojmë së bashku, pasi kemi ekip shumë cilësor në ofensivë. Do të luajmë të bashkuar në mënyrë që ta dominojmë lojën”, tha Rexhbeçaj, duke premtuar se do të japë maksimumin për fitoren e Kosovës.
