Franco Foda: Kemi mungesa por nesër synojmë fitoren dhe vendin e parë në grup - NACIONALE

Franco Foda: Kemi mungesa por nesër synojmë fitoren dhe vendin e parë në grup

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve këtë muaj.

Fillimisht do të përballen me Rumaninë nesër në udhëtim, ndërsa pas tre ditësh luajmë ndaj Lituanisë në Fadil Vokrri.

Për ndeshjen e nesërme, në konferencë për shtyp u paraqitën trajneri Franco Foda dhe Elvis Rexhbeçaj.

Foda e filloi konferencën, duke thënë se nesër pret që të mbizotërojë respekti, dhe jo të ketë incidente siç kishte pasur në përballjen e fundit të Kosovës me Rumaninë në këtë vend.

"Ndeshjen e kaluar në Rumani unë nuk kam qenë selektor i Kosovës dhe nuk mund të flasë shumë për atë ndeshje. Detyra ime primare është për të përgatitur ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë kam qenë duke e bërë në ditët e fundit. Krejt çfarë mund të them për këtë është se kam marrë pjesë në Evropian dhe kam shikuar të fundin, ku ka parë shumë respekt mes kombëtareve dhe këtë e pres edhe nesër."

Sipas trajnerit, nesër do të synohet fitorja, ndonëse ka mungesa që luajnë rol të madh.

"Përkundër faktit që kemi pësuar humbje me rezultat 3:0 në Prishtinë, me paraqitje kemi qenë në nivel të afërt me kundërshtarin, mirëpo kemi pësuar tre gola në momente të palakmueshme nga disa gabime të vogla, gjë ka në fund ka ndikuar në rezultat, por sa i përket paraqitjes nuk është se kemi pasur dallim shumë të madh nga kundërshtari. Pastaj kemi fituar nëntë pikë në tri ndeshjet e fundit që ka rritur besimin në skuadër, duke treguar se jemi një hap përpara dhe jemi skuadër dukshëm më e përgatitur se që kemi qenë në ndeshjen e parë, megjithatë kemi mungesa shumë të rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Këto mungesa natyrisht që luajnë rol dhe ndikojnë por përkundër kësaj skuadra është një hap më larg se që kemi qenë në ndeshjen e shtatorit dhe është e gatshme për të shfaqur krejt potencialin e saj për të synuar rezultatin pozitiv që në këtë rast është fitorja."

Franco Foda është i vetdijshëm që Rumania është skuadër e fortë, por se thotë që kanë edhe pika të dobta, që do të synojnë t'i përdorin, teksa komentoi edhe deklaratën e trajnerit të Rumanisë për Edon Zhegrovën.

"Normalisht se secila skuadër ka pika të dobta dhe besojmë që këto i ka edhe Rumania dhe ne do të provojmë t'i shfrytëzojmë ato, por poashtu Rumania është skuadër shumë e fortë, ka shumë pika të forta, siç është loja e tyre në tranzicion me kundërsulme shumë të shpejta. Kanë lojtarë shumë kualitativ dhe natyrisht skuadër shumë e fortë. Sa i përket Zhegrovës, trajneri juaj ka të drejtë kur thotë se ai është lojtar fantastik, sepse Edoni është lojtar shumë i mirë, di të reagojë në situata 1v1, di të bëjë zgjidhje të mira, mirëpo ideja jonë është të mos varemi nga një lojtar por të luajmë si një skuadër, të sulmojmë si një skuadër, sepse vetëm në këtë formë mund të arrijmë qëllimet tona. NJë futbollist i vetëm, pavarësisht cilësive nuk mund ta fitojë ndeshjen i vetmuar dhe për të marrë shembull në këtë rast është Mbappe te Real Madridi, që pavarësisht se çfarë lojtari është nuk ka arritur të përshtatet, por që duhet të jesh pjesë e skuadrës, pasi në fund të fundit është skuadra që fiton apo humb ndeshjet."

Trajneri gjerman i Kombëtares së Kosovës thotë se është ëndërr për çdo futbollist e trajner që të luajë në stadiume të mbushura, siç pritet të jetë nesër.

"Absolutisht që të luash në një stadium të mbushur është ëndrra e secilit futbollist dhe secilit trajner. Kur flasim për emocionet, duhet të jemi në gjendje që t'i kontrollojmë ato dhe mbi të gjitha duhet të mbizotërojë respekti."

58-vjeçari paralajmëroi ndryshime, që vijnë si rrjedhojë e mungesave, por që kjo nuk ndryshon asgjë dhe se Kosova kërkon tri pikët dhe vendin e parë në grup.

"Duke marrë parasysh mungesat që kemi, natyrisht do të ketë ndryshime qoftë në në mënyrën taktike, apo edhe si do të qasemi në ndeshje, për shkak se kjo është e detyrueshme për shkak të mungesave që kemi. Sa i përket asaj se e a do të kërkojmë fitore që nga fillimi, është e qartë se ne jemi këtu për të tentuar fitoren, por mbi të gjitha është e rëndësishme se si do të paraqitemi si skuadër, si do të luajmë si skuadër. Duhet të jemi agresiv kur nuk kemi topin që ta fitojmë sa më shpejt, kemi 90 minuta kohë për të arritur fitoren. Nuk do të thotë se do të lëshohemi që nga sekondat e parë për të kërkuar fitoren, por duhet të menaxhojmë kohën dhe të arrijmë fitoren gjatë 90 minutave. Natyrisht në mënyrën si paraqitemi pastaj, do ta kemi gjithçka në duart tona. Nëse e duam vendin e parë, duhet ta fitojmë ndeshjen dhe kjo është ajo që synojmë nesër."

Trajneri edhe një herë nuk u lëshua për të komentuar incidentet, duke thënë se pret që nesër të mbizotërojë respekti dhe skuadrat të preukupohen vetëm me futboll.

"Absolutisht jo. Ne preokupohemi vetëm për futbollin, se si luan kundërshtari ynë brenda fushës. Jemi përgatitur mirë gjatë këtyre ditëve që kemi pasur dhe duhet ta mbajmë koncentrimin pikërisht aty. Përtej gjithçkaje, duhet ta përsërisë se gjithçka është sa i përket respektit, vetëm kaq mund të them për këtë temë."

Kujtojmë se Kombëtarja e Kosovës, nesër përballet me Rumaninë me fillim nga ora 20:45, ku Dardanët duhet të kërkojnë fitoren medoemos për të synuar vendin e parë në grup.

Lajme të ngjashme