Konflikt interesi: Gjyqtari Ajeti që e bëri gabimin amator me Prishtinën i ka disa familjarë të punësuar në FFK - NACIONALE

Konflikt interesi: Gjyqtari Ajeti që e bëri gabimin amator me Prishtinën i ka disa familjarë të punësuar në FFK

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjyqtari Mentor Ajeti, i cili u bë i njohur për gabimin famëkeq që i kushtoi Prishtinës me disfatë kundër Dukagjinit në fundjavë pas rikthimit të Superligës, i ka të punësuar disa anëtarë të familjes në poste të larta në Federatën e Futbollit të Kosovës, duke ngritur dyshimet për konflikt të madh interesi.

Ajeti ia pranoi Dukagjinit një gol të shënuar disa sekonda pasi i kishte rënë bilbilit për ta ndërprerë ndeshjen për një faull në zonën prishtinase gjatë një rivënieje këndore. Mërgim Pefqeli shënoi në portën e vet në minutën e 40-të, duke e devijuar topin kur të gjithë ishin ndalur pasi Ajeti e ndërpreu lojën të dielën.

Por gjyqtari shkoi për ta rishikuar rastin në VAR dhe vendosi ta pranojë golin, pavarësisht se topi nuk ishte më në lojë kur u shënua ai, duke bërë njërën prej shkeljeve më bazike ndonjëherë.

Prishtina e ka akuzuar Ajetin se e bëri qëllimshëm këtë gabim dhe ka kërkuar që ndeshja të përsëritet.

Konflikt interesi

Mentor Ajeti ka disa anëtarë të familjes të punësuar në FFK, gjë që ngre dyshimet për konflikt të dukshëm interesi duke parë paaftësinë e tij për të vendosur për një rast të thjeshtë në lojën e futbollit.

Babai i tij, Ali Ajeti është delegat i ndeshjeve të futbollit në FFK.

Axha i tij, Ismajl Ajeti, është anëtar i Komitetit Ekzekutiv, organit më të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Vetë Mentori, përveç gjyqtar në Superligë, është edhe administrator në Lidhjen Rajonale të Prishtinës, e cila udhëhiqet nga xhaxhai i tij Ismajli.

Fahrije Ajeti, gruaja e axhës së tij, është punëtore në FFK.

Në një postim në llogarinë e vet në Facebook nga viti 2020, Ali Ajeti shihet me vëllain e vet Ismajlin dhe të birin Mentorin, ku mbi të gjitha e lartësojnë kryetarin e FFK-së, Agim Ademin.

Vetë Statuti i Federatës së Futbollit të Kosovës kërkon që të mënjanohet konflikti i interesit dhe kërkon nga anëtarët e organeve të veta që të tërhiqen në raste të tilla.

Po ashtu, ata janë të detyruar t’i respektojnë dispozitat përkatëse të Kodit Etik të UEFA-s dhe të FIFA-s në këtë rast.

Pakënaqësitë ndaj FFK-së menjëherë pas rikthimit të Superligës

Përveç Prishtinës që shprehu mllefin dhe pakënaqësitë ndaj gjyqtarit dhe vetë Federatës së Futbollit, edhe Drenica ka reaguar menjëherë pas disfatës kundër Llapit të shtunën.

Klubi bardhekaltër nga mbetur i tronditur nga gabimi i paparë i Ajetit dhe për këtë e ka fajësuar edhe FFK-në.

Duke e parë që si klub nuk jemi në një vijë me udhëheqjen aktuale të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ne nuk kemi qenë të kënaqur as me gjykimin e ndeshjes së para një jave për Kupë, po ashtu me Dukagjinin, e nuk kemi qenë të kënaqur as në shumë ndeshje tjera, duke konstatuar anime për kundërshtarët, por si klub kemi vendosur të heshtim dhe të marrim për bazë pozitën e klubit tonë karshi organizatës së futbollit.

Por, atë që ndodhi sot, thjesht nuk e kemi paramenduar që mund të ndodhë”, thuhej në reagimin e Prishtinës të dielën.

Drenica, ndërkohë, u mposht nga Llapi 1:0 po ashtu nga një vendim shumë i dyshimtë dhe kontrovers i gjyqtarit Genc Nuza.

Nuza, që njihet si gjyqtari më i mirë vendas, i dha një penallti Llapit në pjesën e parë për një faull të butë në zonë, nga e cila shënoi për fitimin e tri pikëve.

Reagimi jonë ka të bëjë me ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari kryesor i kësaj ndeshjeje Genc Nuza, i cili nuk e dim se çfarë ka kunder KF Drenicës dhe nuk e dim çfarë i pengon atij KF Drenica, sepse jo vetëm në këtë ndeshje , por në shumë ndeshje, kemi pasur vërejtje në këtë gjyqtar”, thuhej në reagimin e Drenicës.

Lajme të ngjashme