Kompletohen çiftet gjysmëfinale të Ligës Unike, Prishtina fiton me përmbysje të madhe ndaj Besëlidhjes, Peja e kalon me lehtësi Teutën - NACIONALE

Kompletohen çiftet gjysmëfinale të Ligës Unike, Prishtina fiton me përmbysje të madhe ndaj Besëlidhjes, Peja e kalon me lehtësi Teutën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kanë përfunduar edhe dy çerekfinalet tjera të Ligës Unike, ku Peja me lehtësi ka fituar ndaj Teutës, ndërsa Prishtina me përmbysje të madhe e ka mposhtur Besëlidhjen.

Në ditën e djeshme fitore kishin siguruar dy skuadra të tjera kosovare, të cilat u treguan shumë të forta ndaj skuadrave nga Shqipëria.

Trepça fitoi ndaj Kamzës me rezultat 90:46, ndërsa Ylli e mposhti Tiranën 92:56.

Sot çerekfinalja e parë ishte mes Pejës e Teutës që filloi nga ora 16:00.

Kampionia në fuqi e Kosovës u tregua shumë e fortë, duke fituar çerekun e parë me rezultat 45:13, teksa edhe çereku i dytë dhe i tretë i takoi atyre.

Në të vetmin çerek që triumfuan Teuta ishte në 10 minuta e fundit, por Shqiponjat morën fitore me rezultat të thellë 122:78.

Më i dalluari ishte Justin Davis me 29 pikë e 14 rebounds, i ndihmuar nga Larry Thomas me 19 pikë, Deandre Davis me 18 pkë, e Doucoure me 17 sosh.

Në anën tjetër, Bacon me 27 pikë, Memcaj me 21 dhe Turner me 16 ishin më të dalluarit, por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen.

Ndeshja më interesante e mbrëmjes ishte mes Besëlidhjes dhe Prishtinës, ku skuadra nga Shqipëria ishte në epërsi deri në sekondat e fundit të takimit, por Prishtina bëri përmbysje të madhe për ta fituar ndeshjen.

Çereku i parë u dominua nga lideri i Shqipërisë, i cili i fitua 28:9, ndërsa në vazhdim skuadra nga kryeqyteti i Kosovës fitoi të gjithë çerekët tjerë, për t'iu gëzuar në fund fitores së madhe me rezultat të ngushtë 80:79.

Si zakonisht, më i dalluari ishte Diamond Stone me 26 pikë, i ndihmuar nga Clark me 23 pikë, i cili shënoi një trepikësh vendimtar.

Te Besëlidhja Julian Hamati ishte i pandalshëm me 24 pikë e 17 rebounds, ndërsa paraqitje të mirë patën edhe Weekes e Hysa, që kontribuan me 15 dhe 13 pikë, respektivisht.

Kështu në gjysmëfinale të Ligës Unike shkojnë katër skuadra kosovare, duke i eliminuar katër skuadrat e Shqipërisë, që tregon se sa larg basketbolli kosovar është me atë shqiptar momentalisht.

Nesër do të zhvillohen gjysmëfinalet, ku me fillim nga ora 16:00 takohen Peja me Golden Eagle Ylli, ndërsa Trepça me Prishtinën luajnë me fillim nga ora 19:00.

Dita e shtunë do të jetë pushim, ndërsa finalja e madhe dhe ndeshja për vend të tretë zhvillohet të dielën.

Lajme të ngjashme